Ndërlidhjet

Kreu i task-forcës së EULEX-it arrin në Prishtinë


Një prokuror special i Bashkimit Evropian ka arritur në Kosovë për të hetuar akuzat se luftëtarët shqiptarë të ish-Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës kanë tregtuar me organet e serbëve gjatë luftës së vitit 1999, citon agjencia e lajmeve Reuters një zëdhënës të BE-së.

BE-ja emëroi amerikanin, Xhon Klint Uilliemsën, si prokuror udhëheqës në hetimin e akuzave, sipas të cilave ish-pjesëtarë të UÇK-së, besnikë ndaj kryeministrit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë tregtuar me organet e serbëve të zënë gjatë luftës.

“Uilliemsën arriti të martën për të qëndruar disa ditë dhe për të zhvilluar takime me zyrtarët qeveritarë, stafin e BE-së në vend dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i task-forcës speciale për hetimin e akuzave rreth trafikimit me organe njerëzore, Juri Las.

Duke folur për ecurinë e hetimeve ai u shpreh: “Ne jemi ende në fazën fillestare të hetimeve dhe është ende herët të caktohet ndonjë kornizë kohore, ngase këto akuza serioze u referohen ngjarjeve që kanë ndodhur para më shumë se dhjetë vitesh”.

Akuzat u paraqitën në vitin 2010 kur raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti, akuzoi autoritetet në Kosovë e Shqipëri të kenë qenë pjesëmarrëse në trafikimin me organe njerëzore.

Qeveritë e të dyja vendeve kanë hedhur kategorikisht poshtë akuzat në fjalë.
XS
SM
MD
LG