Ndërlidhjet

Heqja e barrikadave, disa të lënduar


Forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë zhvilluar aksionin për heqjen e barrikadave në veri të vendit dhe lirimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimit kufitar në Bërnjak.

Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, i tha Radios Evropa e Lirë se aksioni i forcave paqeruajtëse në veri të vendit deri më tash është zhvilluar me sukses.

“Ajo që mund të them është se operacioni ynë, deri më tash, ishte i suksesshëm. Kemi kontroll të plotë në luginën e epërme të Ibrit dhe kemi kontroll të plotë në rrugët që janë përdorur për kontrabandë”, tha Novicki.

Ai konfirmoi se KFOR-i ka vënë kontroll të plotë në pikat kufitare dhe se kontrollon të gjitha kalimet në kufirin me Serbinë.

“Ne i kemi hequr pjesërisht barrikadat. Çdo gjë ka kaluar në mënyrë të qetë dhe jemi përpjekur të evitojmë çdo dhunë, por deri tash popullata ka qenë shumë, shumë e qetë dhe bashkëpunuese”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Novicki.

Ai shtoi se aksioni i KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve është duke u zhvilluar ende në drejtim të Bërnjakut.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës e vlerësuan si të qetë situatën dhe pa incidente që rrezikojnë aspektin e përgjithshëm të sigurisë.

Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, tha se, megjithatë, gjatë aksionit të forcave të KFOR-it, një grup serbësh lokalë të fshatit Jagnjenicë ka hedhur gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it.

“KFOR-i ka filluar operacionin e tij për largimin e barrikadave në Zupç, përkatësisht në afërsi të fshati Qabër, të cilin e ka bërë me sukses. Pastaj, ka bërë largimin e një kamioni, i cili i kishte bllokuar rrugën në fshatin Jagnjenicë dhe në këtë aspekt, kemi pasur reagim të disa banorëve serbë, kryesisht të protestuesve pranë barrikadës, të cilët kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të KFOR-it, me qëllim të parandalimit të veprimeve për largimin e këtyre barrikadave”.

“Por, kjo situatë është vënë shumë shpejt nën kontroll nga forcat e KFOR-it, të cilat kanë qenë krejtësisht të përgatitura për situata të tilla”,
tha Hoti.



Zyra për informim e KFOR-it ka bërë të ditur se në fshatin Jagnjenicë janë lënduar lehtë 8 ushtarë të KFOR-it.

Ndërkaq, misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, u ka bërë thirrje qytetarëve ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë sundimin e ligjit.

Në një deklaratë që misioni lëshoi për të dhënë detaje rreth operacionit të përbashkët për heqjen e barrikadave në veri të Mitrovicës, EULEX-i theksoi se veprimet në fjalë janë ndërmarrë afër pikëkalimit 31 si dhe në zonën e Zubin Potokut.

“Qëllimi i përgjithshëm është që të përmirësohet gjendja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës. EULEX-i i ndaloi për një kohë të shkurtër disa persona afër pikëkalimit 31, por ata u liruan më vonë. Janë shënuar disa incidente të vogla”, thuhet në deklaratën e misionit evropian.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i serbëve në Zubin Potok, Sllavisha Ristiq, tha se pavarësisht aksioneve të KFOR-it, serbët lokalë nuk do të tërhiqen nga barrikadat.

“Atë që kemi bërë ditëve të kaluara, do ta bëjmë edhe sot. Ne do ta mbrojmë Kollashinin në mënyrë të qetë. Nuk do t’i lejojmë, ndodnëse janë këmbëngulës. Ne do të qëndrojmë këtu për aq kohë sa është e nevojshme”, tha Ristiq.

Përfaqësuesi i serbëve në Leposaviq, Branko Niniq, i tha Radios Evropa e Lirë se për dallim nga ajo që ka ndodhur gjatë orëve të fundit në komunën e Zubin Potokut, KFOR-i nuk ka ndërmarrë ndonjë aksion për heqjen e barrikadave në komunën e Leposaviqit.

“Situata momentale në komunën e Leposaviqit është e qetë, por ekzistojnë tensione pas tentimeve të mbrëmshme të KFOR-it që të heqë barrikadat në komunën e Zubin Potokut. Ne presim që gjendja të ruhet e qetë”.

“Qytetarët janë mbledhur në një numër të madh dhe janë të vendosur të qëndrojnë dhe, para së gjithash, t’i tregojnë KFOR-it dhe bashkësisë ndërkombëtare se janë për një zgjidhje të qetë të problemit dhe se KFOR-i vetëm përmes marrëveshjeve mund t’i realizojë qëllimet e veta”,
tha Niniq.

Ai theksoi se serbët në veri kanë pranuar që të sigurohen kushtet që KFOR-i të lëvizë lirshëm për furnizimin e bazave të veta, por nuk kanë pranuar që këto kushte të vlejnë edhe për EULEX-in.

Kjo thuhet të jetë edhe arsyeja pse bisedimet e djeshme të KFOR-it me përfaqësuesit serbë në veri, rezultuan të pasuksesshme.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG