Ndërlidhjet

Mbështetet aksioni në veri


Zubin Potok, 20 tetor 2011.
Zubin Potok, 20 tetor 2011.
Institucionet e Kosovës kanë mbështetur aksionin e KFOR-it për heqjen e barrikadave dhe lirimin e rrugëve për qarkullim në veri të vendit.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se ndaj gjendjes në veri duhet përgjigjur me sundim të ligjit.

“Sa i përket veriut, përgjigjja ndaj tërë kësaj është sundimi i mirëfilltë i ligjit në tërë territorin e Kosovës”, tha Jahjaga.

Sa i përket veriut, përgjigjja ndaj tërë kësaj është sundimi i mirëfilltë i ligjit në tërë territorin e Kosovës.
“Të gjitha këto veprime janë në drejtim të ruajtjes së sundimit të ligjit, që është një kusht kushtetues dhe ligjor i yni”, tha presidentja Jahjaga.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se operacioni për largimin e barrikadave dhe lirimin e rrugëve në veri, është në kuadër të përkushtimeve institucionale të Republikës së Kosovës, për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes dhe vendosjen e rendit dhe ligjit.

Ai ftoi të gjithë qytetarët në veri për qetësi dhe për bashkëpunim me organet e rendit.

Ndërsa vlerësoi lart përkushtimin e vazhdueshëm të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, Thaçi dënoi dhunën e ushtruar mbi ushtarët e forcës paqeruajtëse të KFOR-it nga ana e pjesëtarëve të strukturave paralele në veri.

Gjendja në veri të Kosovës mund të shkojë kah normaliteti vetëm nëse KFOR-i tregohet i vendosur në krijimin e ambientit të sigurt dhe nëse bashkësia ndërkombëtare shton trysninë diplomatike mbi Beogradin që të ndalë ndërhyrjen në veri të Kosovës, thonë ekspertë të çështjeve të sigurisë.

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se KFOR-i nuk do të duhej të lejonte në asnjë mënyrë rikthimin e barrikadave dhe bllokimin e rrugëve, sepse, në të kundërtën, të gjitha masat nuk do të kishin efekt.

Hapat e mëtutjeshëm drejt normalizimit të gjendjes në veri, sipas Ramadan Qehajës, mund të jenë të suksesshëm vetëm me ndihmën e KFOR-it.

“Së pari, duhet të bëhet një presion i lartë politik, diplomatik ndaj Serbisë që ajo të heqë dorë nga përkrahja e mëtejme e strukturave ilegale që po veprojnë atje. Së dyti, duhet të fillohet të ndërmerren masat konkrete të sigurisë dhe të vendosjes së ligjshmërisë në atë pjesë të territorit tonë”.

“Me ndihmën e KFOR-it, kjo mund të arrihet; përndryshe, nëse KFOR-i nuk ndërmerr masa adekuate, vështirë se mund t’i qasemi vendosjes së rendit në atë pjesë të territorit tonë”, thekson Qehaja.

Trysnia diplomatike ndërkombëtare mbi Beogradin shihet si çelës drejt normalizimit të gjendjes në veri edhe nga eksperti tjetër i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Të gjitha veprimet e serbëve në veri po koordinohen edhe me politikën zyrtare të Beogradit dhe kjo është tejet shqetësuese, thotë Ibishi.

“Republika e Serbisë duhet të pengohet nga faktori ndërkombëtar që të mos ketë ndërhyrje. Duhet menjëherë të merren hapa, sidomos kundër atyre që kanë kryer vepra të rënda kriminale si: vrasje, krim i organizuar - të fillojë arrestimi i tyre, në mënyrë që pjesa tjetër e qytetarëve të jetë e qetë, ngase edhe ata janë peng i zhvillimeve pozitive dhe kthimit të rendit dhe ligjit në veri”, thotë Ibishi.

Sidoqoftë, njohësit e fushave të sigurisë përshëndesin veprimet e fundit të KFOR-it për lirimin e rrugëve, ndërkohë që inkurajojnë edhe EULEX-in, edhe Policinë e Kosovës që të ndihmojnë në vendosjen e rendit dhe ligjit, në mënyrë që gjendja të mos rikthehet menjëherë aty ku edhe ishte këto javët dhe muajt e fundit.
XS
SM
MD
LG