Ndërlidhjet

Irani i zemëruar me radarin e NATO-s në Turqi


Mahmud Ahmadinexhad dhe Rexhep Taip Erdogan
Mahmud Ahmadinexhad dhe Rexhep Taip Erdogan

Njëri nga aspektet më kundërthënëse të politikës së jashtme të Turqisë ishte synimi i Ankarasë për të kultivuar raporte të afërta me Iranin.

Por, vendimi i Turqisë për të lejuar vendosjen e radarit të NATO-s, si pjesë e sistemit mbrojtës anti-raketor, që në radhë të parë ka të bëjë me Iranin, ka nxitur tmerr në Teheran.

Teherani po reagon me zemërim dhe kërcënim lidhur me vendimin e Ankarasë për të lejuar vendosjen e radarit të NATO-s, si pjesë e sistemit të saj mbrojtës anti-raketor.

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Hamenei, e ka dënuar këtë vend, ndërsa komandantët e lartë ushtarakë të Iranit dhe zyrtarë qeveritarë, kanë tërhequr vërejtjen për konsekuenca.

Analisti për Iranin, Xhamsid Asadi, nga Shkolla për Biznes Burgundi në Francë, tha se është e qartë se Irani ishte i shqetësuar nga lëvizja e Ankarasë.

Kjo është shumë serioze, kjo është shumë e rëndësishme për Iranin. Irani ndjehet shumë më i izoluar dhe në rrezik”, tha analisti Asadi.

Vendimi i Ankarasë gjerësisht shihet si fitore ushtarake dhe diplomatike për Uashingtonin, duke e konfirmuar përkushtimin e Turqisë për partnerët e saj në NATO, në raport me Iranin fqinjë.

Kjo paraqet lëvizje në drejtim tjetër nga zhvillimet e disa viteve të fundit, kur partia AK me origjinë islamike, që e udhëheq qeverinë në Turqi, e kishte prioritet thellimin e raporteve me Teheranin, si pjesë e politikës së “zero problemeve” me fqinjët e Turqisë.

Në këtë kuadër, në një pikë, kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, e kishte përshkruar presidentin e Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, si mik të mirë të Turqisë dhe i kishte kritikuar aleatët perëndimor të Ankarasë për qëndrimin e tyre të ashpër ndaj Iranit, lidhur me programin e tij bërthamor.

Por, ish diplomati turk, Sinan Ulgen, thotë se politikës së afrimit i ka ardhur fundi.

Mendoj se mund të flasim për një fazë të re. Pra, ne po hyjmë me të vërtetë në një periudhë të vlerësimit më real. Qartazi, deklaratat që vijnë nga Teherani tregojnë se atje tash ekziston rreziku në rritje për tension të vazhdueshëm, për shkak të trashëgimisë historike, meqë këto dy vende po përpiqen që të kenë ndikim në rajon. Kjo gjë e nxitë njërin kundër tjetrit”, thotë ish diplomati Ulgen.

Këto tensione qartazi ishin të pranishme edhe para vendimit për vendosjen e radarit.

Lidhur me Pranverën Arabe, Turqia e ka pozicionuar vetveten si mbështetës të demokracisë dhe në favor të shtetit sekular, si model për regjimet e reja. Ky qëndrim paraqet kërcënimin më të madh për raportet turko-iraniane.

Në këtë kuadër, Teherani është i zemëruar edhe për mbështetjen e Turqisë për opozitën në Siri.

Nuraj Mert, nga Universiteti i Stambollit, thotë se nëse do të ketë ndryshim të regjimit në Siri, do të ndryshoj situata në rajon.

Nëse Irani e humbë Sirinë, atëherë Teherani do ta humbte një bazë të rëndësishme të fuqisë në Lindjen e Mesme dhe në rajon.
Nëse do të ketë ndryshim të regjimit në Siri, i gjithë balanci do të ndryshojë. Nëse Irani e humbë Sirinë, atëherë Teherani do ta humbte një bazë të rëndësishme të fuqisë në Lindjen e Mesme dhe në rajon. Kjo do të ishte disfatë madhore për Iranin, dhe në kuadër të kësaj kornize, Turqia del në anën e disidentëve dhe e mbështet një lloj të ndryshimit të regjimit. Këtë Irani do ta konsideroj direkt si diçka kundër tij”, tha Mert.

Sipas ish diplomatit Sinan Ulgen, Ankaraja tash po e koordinon politikën për Sirinë me Uashignton, dhe kjo e zemëron edhe më tepër Teheranin.

Ka pasur një numër të bisedimeve telefonike të nivelit të lartë, ndërmjet liderëve turq dhe atyre amerikanë. Tash të dy palët janë në pikë të njëjtë dhe politika e Turqisë ndaj Sirisë duket se e ka mbështetjen e plotë të administratës së Shteteve të Bashkuara”, thotë ish diplomati Uglen.

Por, megjithatë Ankaraja nuk e ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit lidhur me vazhdimin e raporteve financiare dhe tregtare me Iranin.

Me gjithë ftohjen e raporteve politike, tregtia ndërmjet Turqisë dhe Iranit vazhdon të zhvillohet në mënyrë intensive. Ankaraja angazhohet vetëm për minimumin e zbatimit të sanksioneve të OKB-së kundër Iranit, meqë Turqia, vitin e kaluar si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i ka kundërshtuar ato. (f. b.)
XS
SM
MD
LG