Ndërlidhjet


Autoritetet kosovare duhet të gjejnë forma alternative për prodhimin e energjisë elektrike dhe t’i shmangen shfrytëzimit të linjitit, në mënyrë që të sigurohet një ambient më i pastër, e veçanërisht popullatë më e shëndetshme.

Kështu është thënë të enjten në një konferencë ndërkombëtare, të quajtur “Linjiti i Kosovës dhe efekti i tij në shëndetin publik”.

Ferdinard Nikolla, nga Forumi për Iniciativa Qytetare “FIQ”, tha se qytetarët kosovarë që jetojnë afër termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës, janë të rrezikuar nga sëmundje të ndryshme, për shkak të ndotjes së ambientit.

Nga vizitat që ne kemi pasur me përfaqësues të institucioneve shëndetësore, është vërejtur një mungesë e madhe e të dhënave rreth sëmundjeve që janë si pasojë e ndotjes nga qymyri”.

Kjo është vërtetë për t’u shqetësuar. Jo vetëm për faktin se ndotja është shumë e madhe dhe dëmet janë shumë të mëdha, por për faktin se ato nuk janë të dokumentuara dhe nuk janë të paraqitura për opinionin publik, për t’i parë dhe analizuar në mënyrë të hollësishme”, tha Nikolla.

Krenar Gashi, nga Instituti KIPRED, tha se nuk qëndron arsyetimi i Qeverisë së Kosovës, se burimet alternative të energjisë janë shumë të shtrenjta dhe se Kosova, si vend i varfër dhe i pazhvilluar, nuk mund të investojë në to.

Por, megjithatë, autoritetet kompetente, shtoi ai, duhet t’i kenë parasysh pasojat që shkakton shfrytëzimi i thëngjillit në shëndetin e popullatës.

Është i pashmangshëm fakti se përqindjet e njerëzve që kanë sëmundje, sidomos të mushkërive, në afërsi të termocentraleve, janë shumë më të mëdha sesa përqindjet në nivel të Kosovës”, tha Gashi.

Edhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë pranojnë se ndotja e ambientit ndikon në shëndetin e popullatës.

Iliriana Bajraktari, nga kjo organizatë, tha se nga kjo dukuri më të rrezikuar janë fëmijët.

Ne, si OBSH, jemi duke përkrahur Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, për të themeluar regjistrin e kancerit, pasi është joekzistent deri më tani. Do të vazhdojnë përpjekjet dhe aktivitetet konkrete edhe për vitet e ardhshme”.

Ndërsa, për zhvillimin ekonomik të një vendi është shumë i rëndësishëm edhe shëndeti i popullatës. Do të thotë, shëndeti publik duhet të ketë rolin kryesor para se të merren vendime në politika publike”, u shpreh Bajraktari.

Korporata Energjetike shumë herë është cilësuar si ndotësi më i madh i ambientit në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG