Ndërlidhjet

Kryeministri i përkohshëm thotë se Gadafi është vrarë


Kryeministri i përkohshëm i Libisë, Mahmud Xhibril, tha se lideri i përmbysur Muamer Gadafi, është vrarë.

Zoti Xhibril, zëvendës lider i Këshillit Tranzicional Kombëtar të Libisë, që praktikisht paraqet qeveri të përkohshme, tha në konferencën për shtyp në Tripoli se “kemi pritur një kohë të gjatë për këtë moment; Muamer Gadafi është vrarë”.

Ministri i informatave, Mahmud Shaman, tha më herët se Gadafi është vrarë derisa po përpiqej të largohej nga qyteti i tij i lindjes, Sirte.

Stacionet ndërkombëtare televizive po transmetojnë atë që thuhet se është fotografia e trupit të Gadafit, që po tërhiqej nëpër tokë.

Në gjithë kryeqytetin Tripoli dëgjohen të shtëna festuese dhe brohoritje “Zoti është i Madh”.

Komandantët e Këshillit Tranzicional Kombëtar thonë se trupi i djalit të Gadadfit, Mutasin, poashtu është gjetur në qytetin Sirte.

NATO-ja ka konfirmuar se e kishte lansuar një sulm ajror kundër konvojit, që përpiqej të largohej nga Sirte.

Por, aleanca nuk e ka konfirmuar menjëherë se Gadafi është vrarë.

Nuk ka pasur ende reagim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara. Departamenti i shtetit ka thënë se nuk mund t’i konfirmoj raportet për zënien ose vrasjen e Gadafit.
XS
SM
MD
LG