Ndërlidhjet

NYT: Libia e pas-Gadafit


Libianët duke festuar...

Libianët duke festuar...

"New York Times"

Kolonel Muamer Gadafi ka vdekur ashtu si edhe ka jetuar – dhunshëm. Tani, çdonjëri bashkëndjen me libianët, të cilët kanë vuajtur shumë kohë nën duart e diktatorit të pamëshirshëm. Por, pamjet e tmerrshme që transmetoi Al Xhazira – të cilat, siç dukej paraqisnin Gadafin teksa tërhiqej zvarrë, rrihej, për t’u qëlluar më pas për vdekje nga persona të armatosur – janë thellësisht shqetësuese nëse janë të vërteta.

Libianët duhet t’i rezistojnë hakmarrjes së mëtejshme dhe të drejtojnë pasionin e tyre në ndërtimin e një vendi të lirë, të bashkuar dhe produktiv. Në të kundërtën, ata rrezikojnë edhe më shumë kaos e vuajtje.

Kolonel Gadafi mund të kishte zgjedhur një tjetër fund. Pasi Pranvera Arabe preku Libinë në muajin shkurt, ndërsa forcat kryengritëse – të mbështetura nga fuqia ajrore e NATO-s – luftuan kundër tij, udhëheqësit evropianë dhe afrikanë bënë përpjekje të negociojnë largimin e Gadafit. Por, ata u refuzuan.

Kur qeveria e tij u rrëzua dy muaj më parë, ai po ashtu refuzoi të dorëzohej. Ai u largua në vendlindjen e tij – Sirte – dhe mblodhi mbështetësit e tij për të vazhduar luftën, ndonëse ishte e qartë se e gjitha çfarë do të ndodhte, do të ishte më shumë vdekje dhe shkatërrim. Rebelët morën përfundimisht kontrollin e qytetit të enjten.

Qeveria e përkohshme, përkatësisht Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, ka premtuar se do të ndërtojë demokracinë në vendin që kurrë s’e ka pasur një të tillë. Për këtë, ka shumë punë për t’u bërë dhe nuk ka kohë për të humbur.

Kryeministri i përkohshëm, Mahmud Xhibril, duhet ta bëjë të qartë se xhelatët e Gadafit do të dorëzohen në Hagë ose do të përballen me gjykim të drejtë në Libi. Ata që nuk kanë kryer krime të rënda, duhet të inkurajohen për t’u bashkuar në ndërtimin e një Libie të re.

Qeveria duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për krijimin e ushtrisë dhe të policisë, që do të ofronin rend dhe siguri. Ajo duhet t’i bindë milicitë e fuqishme rajonale që të shpërndahen apo të futen nën kontrollin e qeverisë qendrore. Ajo po ashtu duhet të kthejë në funksion industrinë e naftës, si dhe të nisë ndërtimin e një sistemi funksional gjyqësor.

Zoti Xhibril ka thënë se me vdekjen e kolonel Gadafit, vendi mund të fillojë të përgatitet për zgjedhjet e para reale dhe për një këshill kombëtar brenda tetë muajsh.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë vizitës që i ka bërë Tripolit këtë javë, ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë 40 milionë dollarë për të ndihmuar sigurinë e armëve në Libi. Britania dhe Franca kanë premtuar po ashtu ndihma.

Më shumë se për para – meqë falë naftës, është e pasur – Libia do të ketë nevojë për këshilla të qëndrueshëm dhe angazhim të plotë.

Kjo ka qenë gjithmonë lufta e popullit të Libisë, por Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë qenë po ashtu viktima të terrorizmit të Gadafit. Tani, ato mund të ndjejnë lehtësim dhe kënaqësi për rolin e tyre mbështetës për t’i dhënë fund terrorit. Por, ato duhet të ndihmojnë dhe të nxisin Libinë në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme dhe paqësore. (v.t.)
XS
SM
MD
LG