Ndërlidhjet

Fundi i despotizmit dhe diktaturës


Duke festuar vdekjen e Gadafit...
Duke festuar vdekjen e Gadafit...
Liderët e Libisë përshëndesin kaptinën e re për këtë vend, pas vrasjes së kolonel Muamer Gadafit, i cili ka sunduar Libinë me grusht të hekurt për 42 vjet. Ai praktikisht ishte përmbysur në muajin gusht.

Kryeministri i qeverisë së përkohshme të Libisë, Mahmud Xhibril, konfirmoi se Gadafi, 69-vjeçar, ishte vrarë në bazën e tij të fundit, në qytetin Sirte, pas betejës për këtë qytet, e cila zgjati më tepër se një muaj.

Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar Tranzicional, Abdel Gogha, në një konferencë për shtyp, në qytetin lindor të Bengazit, shpalli vrasjen e Gadafit:

“E shpallim për botën se Muamer Gadafi është vrarë në duart e revolucionarëve. Tirania dhe diktatura e Gadafit përfundimisht janë mbyllur. Kaptina e tij ka përfunduar për Libinë dhe për gjithë botën”, tha Gogha.

Pamjet televizive kanë treguar banorët e qytetit Sirte duke festuar në rrugë, pas raporteve për vrasjen e Gadafit dhe rënien e qytetit te forcat lojale të liderëve të rinj të këtij vendi.

Banorët kanë dalë po ashtu në rrugët e Bengazit dhe të Tripolit, duke ngritur flamuj dhe duke brohoritur.

Ka pasur raporte kundërthënëse lidhur me momentet që kanë çuar në vrasjen e ish-liderit Gadafi, por shumica pajtohen se ai ishte zënë i gjallë nga luftëtarët kryengritës.

Kanalet televizive arabe kanë transmetuar pamje të një individi të plagosur dhe të përgjakur, për të cilin besohej se ishte Gadafi, i rrethuar nga njerëz me armë.

Pamjet tregonin luftëtarët duke e tërhequr trupin e pajetë nëpër trotuar, i zhveshur deri në bel dhe me një rrëke gjaku nën kokën e tij.

Televizioni al-Arabia ka transmetuar video ku shihej trupi i Gadafit në një makinë në rrugët e Misratës, i rrethuar nga turma e madhe, e cila brohoriste: “Gjaku i martirëve nuk ka shkuar huq”.

Një luftëtar kryengritës, që i dha deklaratë agjencisë Reuters, tha se ish-lideri ishte gjetur duke u fshehur në një vrimë në tokë.

Këshilli Tranzicional Kombëtar tha se trupi ishte transferuar në një xhami në qytetin Misrata, ndërmjet Tripolit dhe Sirtes.

Raportet po ashtu theksojnë se besnikët e Gadafit, si dhe municione dhe armatime të ngarkuara në kamionë, janë zënë gjatë sulmit të kryengritësve.

Një numër i ndihmësve të Gadafit, përfshirë djalin e tij, Mutasimin, ish-këshilltar për siguri kombëtare, po ashtu janë vrarë.

Ministri i Informatave, Mahmud Shamam, i tha agjencisë AP se Mutasim Gadafi është vrarë në Sirte.

Vritet Gadafi
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00
Abdel-Aziz, mjeku që e ka shoqëruar trupin në ambulancë, tha se Mutasimi ishte qëlluar në qafë.

Në muajin shkurt, në fillim të revolucionit në Libi, Gadafi thoshte se kryengritësit, që synojnë përmbysjen e regjimit të tij, janë terroristë ndërkombëtarë. Ai thoshte se libianët do ta mbështesin atë.

“Ata më duan mua. I gjithë populli im është me mua. Ata të gjithë më duan. Ata do të vdesin për të më mbrojtur”, thoshte Gadafi.

Liderët botërorë e kanë mirëpritur vrasjen e Gadafit si fund të despotizmit, të diktaturës dhe të luftës në këtë vend të Afrikës Veriore.

Presidenti amerikan, Barak Obama, që e udhëhoqi nxitjen për intervenim të NATO-s në muajin mars të këtij viti, tha se ky është fundi i një kaptine të dhembshme.

“Qeveria e Libisë ka shpallur vrasjen e Muamer Gadafit. Kjo shënon fundin e një kaptine të gjatë dhe të dhembshme për popullin e Libisë, që tani ka mundësi për ta përcaktuar fatin e vet në Libinë e re dhe demokratike”, tha Obama, duke e quajtur moment historik vrasjen e Gadafit.

“Kjo është ditë e rëndësishme, historike për Libinë. Hija e zezë e tiranisë është larguar. Tash, populli i Libisë ka përgjegjësi të madhe për ndërtimin e Libisë demokratike, gjithpërfshirëse dhe tolerante”, tha Obama.

Sipas tij, fati i Gadafit duhet të shërbejë si mesazh për sunduesit e tjerë në botën arabe, pasi “sundimit me grusht të hekurt pashmangshëm i ka ardhur fundi”.

Kryetari i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, tha se vrasja e Muamer Gadafit shënon fundin e despotizmit.

“Kjo shënon fundin e një epoke të despotizmit dhe besoj se ishte koha që kjo periudhë të përfundonte, sepse populli i Libisë ka pësuar për një kohë të gjatë”, tha Baroso.

Ai shfaqi shpresën se populli i Libisë do ta përqafojë lirinë, duke e ndërtuar një të ardhme të re demokratike.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, vlerësoi se vrasja e Muamer Gadafit paraqet tranzicion historik në Libi.

Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, tha se “është dita për t’i kujtuar të gjitha viktimat e kolonel Muamer Gadafit.

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, tha se vrasja e Gadafit është “hap madhor në luftën mbi tetëmuajshe të popullit të Libisë për çlirimin e vetvetes nga regjimi diktatorial dhe i dhunshëm, i imponuar ndaj tyre për më tepër se 40 vjet”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se aleanca, së shpejti, do ta përfundojë misionin e saj në Libi, tash kur sundimi i Gadafit “përfundimisht ka përfunduar”. (f.b.)
XS
SM
MD
LG