Ndërlidhjet

Kosovë, Maqedoni: Bashkëpunim në proceset veri-atlantike


Ilustrim

Ilustrim

“Maqedonia ka arritur të gjitha standardet për anëtarësim në NATO dhe mendoj se i është bërë padrejtësi politike që ende nuk është anëtare e Aleancës”, ka deklaruar ministri i Forcave Mbrojtëse të Kosovës, Agim Çeku, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij në Maqedoni, Fatmir Besimi.

Dy ministrat e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se gjatë takimit kanë shtruar mundësitë e bashkëpunimit në sferën e proceseve veri-atlantike.

Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi, ka thënë se bashkëpunimi dhe këmbimi i përvojave lehtëson në masë të madhe rrugëtimin e dy vendeve në strukturat veri-atlantike.

“Bashkëpunimi do të vijojë në drejtim të këmbimit të përvojave dhe mundësive që Maqedonia ta mbështesë Kosovën me stërvitje në Qendrën ushtarake-medicinale, Qendrën rajonale për komunikim, Akademinë ushtarake dhe poligonin Krivollak”, ka thënë Besimi.

Ndërkaq, ministri i Forcave Mbrojtëse të Kosovës, Agim Çeku, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ishte decidiv se “veprimet në veri assesi nuk mund të reflektojnë as në pjesët tjera të Kosovës, e aq më pak në Maqedoni dhe rajon“.

"Këto zhvillime, jo që nuk do të reflektohen në Maqedoni, por ato nuk do të reflektohen as në pjesën më të madhe të Kosovës. Këto ngjarje kontrollohen në mënyrë legjitime nga ana e KFOR-it”.
...nuk ka asnjë rrezik që problemi i veriut të reflektojë në pjesët tjera të Kosovës, e aq më pak në Maqedoni ose vendet tjera të rajonit.

“Jemi të ballafaquar me përpjekjen e Serbisë që vazhdimisht ta mbajë peng Kosovën përmes veriut. Por, mendoj se tani janë krijuar edhe rrethanat politike, njëherësh edhe një unitet i gjithë faktorit ndërkombëtar, që ky problem duhet zgjidhur, që kjo pjesë të jetë pjesë integrale e Kosovës dhe që Kosova duhet t’i kontrollojë të gjithë kufijtë e saj shtetërorë”.

“Pra, mendoj se nuk ka asnjë rrezik që ky problem të reflektojë në pjesët tjera të Kosovës, e aq më pak në Maqedoni ose vendet tjera të rajonit”,
ka deklaruar Çeku.

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë ka theksuar se vendet e rajonit duhet të angazhohen për intensifikimin e dialogut, si rruga e vetme që çon në zgjidhjen edhe të çështjeve më të ndjeshme.

“Paqja dhe stabiliteti i rajonit janë me një rëndësi vitale për zhvillimin dhe progresin e rajonit. Integrimet euroatlantike mbeten prioritetet kryesore dhe alternativa më e mirë e vendeve të rajonit”, është shprehur Besimi.
XS
SM
MD
LG