Ndërlidhjet

Pengohet heqja e barrikadave drejt Jarinës


Pranë Zubin Potokut, 20 tetor 2011.
Pranë Zubin Potokut, 20 tetor 2011.

Tentativa e parë e KFOR-it për të hequr barrikadat në rrugët që çojnë drejt pikës kufitare në Jarinë, është penguar nga qindra serbë.

Serbët janë ulur në rrugë për të ndalur avancimin e trupave të NATO-s, të cilat, gjatë natës, u përpoqën t’i largojnë barrikadat e përbëra nga vetura, gurë, baltë dhe drunj.

Zëdhënësi i KFOR-it, Frenk Martin, tha se aksioni vazhdon, por nuk dha detaje për pengesat që kanë hasur.

“Nuk japim detaje për operacionet që janë duke vazhduar, por mund të konfirmoj se gjendja është e qetë, asgjë e veçantë, asnjë incident. Nuk mund t’ju them tash për tash asgjë, do të shohim se çka do të ndodhë”, tha Martin.

Aksioni për hapjen e rrugëve drejt Jarinës u zhvillua disa orë pasi që komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, paralajmëroi se barrikadat do të hiqen ose në mënyrë paqësore ose me forcë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha sot se barrikadat vazhdojnë të mbesin në rrugë.

“Barrikadat vazhdojnë të jenë të pranishme në rrugë. Operacioni nga KFOR-i për heqjen e barrikadave ka vazhduar edhe mbrëmë dhe sërish kemi pasur një reagim të qindra protestuesve në fshatin Rudarë e vogël, ose, për të specifikuar më mirë, në afërsi të rrugës që shpie drejt fshatrave të banuar me popullatë shqiptare, në kuadër të komunës së Zveçanit”, u shpreh Hoti.

KFOR-i, gjatë kësaj jave, ka nisur aksionin për heqjen e barrikadave, pas dështimit të bisedimeve me përfaqësuesit e serbëve, që pengesat rrugore të hiqen nga vetë serbët që i kanë vendosur aty.

Së pari, rrugët kanë nisur të hapen drejt portës kufitare 31, apo Bërnjak. Aksioni i mbrëmshëm ishte i pari që u ndërmor për të çarë rrugën edhe drejt pikës kufitare në Jarinë, e cila nga viti 2008 është djegur të paktën dy herë.

Besim Hoti
Besim Hoti

​Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, tha se me gjithë rezistencën e barrikaduesve, nuk është shënuar asnjë incident.

Tentativa e KFOR-it për të larguar barrikadën e betonuar në rrugën magjistrale Mitrovicë-Zveçan-Leposaviq, është parandaluar nga protestuesit, por me rëndësi është që edhe pas tërheqjes së KFOR-it, nuk kemi pasur ndonjë incident të regjistruar”, tha Hoti.

Aktualisht, barrikadat mbesin gjithandej nëpër rrugët në veri, duke pamundësuar kështu qarkullimin e lirë për në veri të forcave të KFOR-it e EULEX-it.

Në bisedimet që janë zhvilluar me përfaqësuesit e serbëve lokalë, KFOR-i ka kërkuar lirimin e rrugëve, me qëllim furnizimin e ushtarëve që gjenden në pjesën veriore të vendit.

Por, serbët nuk janë pajtuar, meqë KFOR-i ka kërkuar liri lëvizjeje edhe për EULEX-in, mision ky që tashmë po shihet si ‘armik’ nga ana e serbëve të veriut.

Barrikadat në rrugë kanë filluar të vendosen që nga 25 korriku, kur Qeveria e Kosovës ndërmori aksionin për dërgimin e policëve dhe doganierëve në të dy pikat kufitare në veri.

Pengesat në rrugë janë shtuar dhe përforcuar pas 16 shtatorit, kur nismën e qeverisë për të futur nën kontroll dy pikat në veri, e mbështetën edhe autoritetet ndërkombëtare.

Transportimin e doganierëve dhe policëve në Jarinë e Bërnjak po e siguron KFOR-i përmes helikopterëve ushtarakë.

Lexoni edhe këtë:
Jo bllokimit të rrugëve

XS
SM
MD
LG