Ndërlidhjet

Obama: Tërhiqemi definitivisht nga Iraku


Obama gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë, 21 tetor 2011.
Obama gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë, 21 tetor 2011.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, e bëri paralajmërimin befasues për tërheqjen e tërësishme të trupave amerikane, të premten në Shtëpinë e Bardhë.

“Sot mund të njoftoj se, siç kemi premtuar, trupat tona të mbetura do të kthehen në shtëpi në fund të këtij viti. Pas afro nëntë vjetësh, lufta e Amerikës në Irak do të përfundojë”, tha Obama.

Deklarata e tij u dha fund debatave disamujore lidhur me atë se a do të duhej të mbeteshin disa mijëra trupa amerikane në Irak edhe përtej vitit 2011, si forcë trajnuese dhe parandaluese ndaj ndërhyrjeve të Iranit apo forcave të tjera të huaja.

Qeveria e Irakut ka zhvilluar debate të ashpra me Uashingtonin zyrtar -bisedime këto që çuan në refuzimin e Bagdadit për të vazhduar garantimin e imunitetit nga ndjekja penale për trupat amerikane.

Në komentet e shkurtra, pas të cilave nuk pranoi pyetjet e gazetarëve, Obama theksoi se Amerika ka mbajtur premtimet e veta ndaj Irakut, të cilin ai e cilësoi si të “sigurt në vetvete”.

Por, në përgjithësi, ai u përqendrua në përshkrimin e ndikimit që do ta ketë përfundimi i luftës së Shteteve të Bashkuara në Irak, duke thënë se me këtë, Uashingtonit do t’i mundësohet t’i kushtojë më shumë vëmendje ndërtimit të ekonomisë së brendshme dhe ribashkimit të mijëra familjeve të ushtarëve.
Ushtarët e fundit amerikanë do të kalojnë kufirin me Irakun, duke i mbajtur duart lart - krenarë për suksesin e tyre.

“Gjatë dy muajve të ardhshëm, trupat tona në Irak, dhjetëra-mijëra nga to, do t’i paketojnë gjërat e tyre dhe do t’iu bashkëngjiten varganëve në rrugën për kthim në shtëpi. Ushtarët e fundit amerikanë do të kalojnë kufirin me Irakun, duke i mbajtur duart lart - krenarë për suksesin e tyre, duke ditur se populli amerikan është i bashkuar në mbështetjen për trupat tona”, u shpreh Obama.

“Pas një dekade të luftës, kombi të cilin duhet ta ndërtojmë dhe kombi të cilin do ta ndërtojmë, është i yni - një Amerikë që do të ketë rifuqizim ekonomik - ashtu siç e kemi rivënë aftësinë tonë udhëheqëse në botë”, tha presidenti amerikan.

Më pak se 40 mijë trupa amerikane kanë mbetur në Irak - përbërje ushtarake kjo që dikur numëronte 165 mijë sosh.

Në vitin 2002, kur ishte ende senator për shtetin Ilinois, Obama pat kundërshtuar në një fjalim propozimin e atëhershëm për ndërhyrjen në Irak.

“Nuk e kundërshtoj luftën në çdo rrethanë dhe kur e shikoj këtë turmë sot, e di se nuk mungojnë patriotët ose patriotizmi. Por, ajo që kundërshtoj është një luftë e pamend”, pat thënë Obama.

Ushtarët amerikanë në një nga qarqet e Irakut...
Ushtarët amerikanë në një nga qarqet e Irakut...
Gjatë fushatës presidenciale në vitin 2008, Obama e pozicionoi veten si kandidat kundër luftës, duke theksuar vazhdimisht se ka votuar në Senat kundër ndërhyrjes së vitit 2003.

Pasi mori detyrën në vitin 2009, ai përshpejtoi përfundimin e konfliktit, ndërsa në gusht të vitit 2010, Obama e shpalli të përfunduar misionin luftarak të Shteteve të Bashkuara.

Më shumë se 4,400 pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë që nga fillimi i luftës. Numri i të vdekurve nga radhët e civilëve irakianë vlerësohet të jetë diku 103 mijë.

Presidenti amerikan mbajti një video-konferencë private me kryeministrin irakian, Nuri Al Maliki, të premten. Pas bisedave me të, Obama siguroi se vendimi për tërheqjen e trupave amerikane është arritur në baza konsensusi.

Lidershipi i Irakut, për një kohë të gjatë, ka qenë i ndarë lidhur me qëndrimin e trupave amerikane në Irak, përtej marrëveshjes së negociuar nga ish-presidenti Xhorxh Bush, në vitin 2008, me të cilën parashihej tërheqja e plotë deri në fund të vitit 2011.

Zyrtarët amerikanë dolën me ide të ndryshme gjatë këtij viti për mbajtjen e një numri të vogël të trupave amerikane në Irak, por palët nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët rreth mbrojtjes ligjore të trupave amerikane.

Megjithatë, vlerësohet se nga vendimi i publikuar të premten, përfitimet e tyre do t’i nxjerrin edhe kryeministri Al Maliki, duke riparuar sovranitetin e Irakut, por edhe Obama, i cili do të ballafaqohet me një fushatë të ashpër elektorale për rizgjedhjen si president. (e.p.)
XS
SM
MD
LG