Ndërlidhjet

logo-print

Serbët e veriut takojnë Tadiqin, diskutohen barrikadat


Përfaqësuesit e komunave veriore të Kosovës pritet të takohen sonte në mbrëmje në Beograd me presidentin e Serbisë Boris Tadiq për të biseduar mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës në veri.

Këta politikanë u kanë thënë mediave serbe se nga presidenti Tadiq do të kërkojnë një përgjigje të qartë se cila është politika shtetërore e Serbisë ndaj Kosovës.

“Presidentin Tadiq do ta njoftojmë për situatën në veri të Kosovës dhe në lidhje me bisedimet që i kemi pasur dje me krerët e KFOR-it dhe EULEX-it në Mitrovicë”, ka thënë përfaqësuesi i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq.

Ai ka vlerësuar se krizën në veri nuk mund ta zgjidhin përfaqësuesit e komunave dhe se "është e domosdoshme që këtu të përfshihet edhe udhëheqja shtetërore e Serbisë".

Për takimin e sotëm, barrikaduesit në fshatin Jagnjenicë i ka njoftuar përfaqësuesi i Zubin Potokut, Slavisha Ristiq.

Një ditë më parë, kreu i EULEX-it, Ksavie De Marnjak, dhe komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, takuan përfaqësuesit e komunitetit të serbëve të veriut të Kosovës në Shtëpinë e BE-së në këtë pjesë të vendit.

Takimi thuhet të ketë pasur për qëllim diskutimin rreth lirisë së lëvizjes si “parim kryesor të Bashkimit Evropian”.

“Liria e lëvizjes duhet të rivendoset shumë shpejt duke larguar bllokadat rrugore për të mirën e popullatës lokale dhe pranisë ndërkombëtare-përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”, thuhej në komunikatën e EULEX-it.
XS
SM
MD
LG