Ndërlidhjet


Pas ndërprerjes së bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, anëtaret e Komisionit për Personat e Pagjetur, thonë se dialogu për çështjen e të zhdukurve është komplikuar edhe më shumë.

Sipas tyre, dialogu i nisur në mes të dy vendeve ka qenë një shpresë se aty mund të bisedohet edhe më shtruar rreth zbardhjes së fatit të personave që mungojnë.

Por, sipas anëtarëve të grupit punues kosovar për persona të pagjetur, Beogradi zyrtar këtë çështje e ka politizuar edhe më shumë.

Prenk Gjeta, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, thotë se çështja e të pagjeturve është politike, pavarësisht faktit se në vazhdimësi ajo është trajtuar si çështje humane.

Normalisht që pala serbe ka mundësinë që ta politizojë. Në radhë të parë, është e mbyllur për të na dhënë informacionet çfarë ka ndodh me trupat që janë vrarë dhe janë bartur, dhe ku janë dërguar në varreza masive apo në furrnalta. Për çdo bisedë e çfarëdo natyre qoftë, pa pasur konotacione politike, në Serbi nuk është e mundshme”, thotë Gjeta.

Por, Zelko Odaloviq, kryesues i delegacionit të Beogradit në grupin punues për personat e pagjetur, thotë se anëtarët e të dyja delegacioneve, të Prishtinës dhe të Beogradit, janë të vetëdijshëm se çfarëdo politizimi i çështjes së të pagjeturve, i largon ata nga vetë procesi.

Ne, para së gjithash, kemi mandatin për t’u marrë me kërkimin dhe zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur, dhe politikën ua kemi lënë atyre që merren me të. Kështu që as nga pala e Prishtinës e as nga pala jonë, deri më tash nuk ka pasur kërkesa që do ta rrezikonin procesin, do të thotë, nuk ka pasur kërkesa të natyrës politike”, shprehet Odaloviq.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që ky proces nuk është ngjyrosur politikisht as nga familjarët e personave të pagjetur.

Zbardhja e fatit të personave të pagjetur, tash e 12 vjet vazhdon të jetë brengë e familjarëve të këtyre personave.

Haki Kasumi, drejtues i këshillit të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, thotë se tash e një kohë nuk ka pasur rezultate që inkurajojnë se ky proces po shkon në drejtim të një zgjidhjeje.

...është pasojë e një politike të keqe, e cila fatkeqësisht po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

“Fatkeqësisht kjo çështje është politizuar edhe pse jemi të gjithë për atë që është çështje humanitare por, është pasojë e një politike të keqe, e cila fatkeqësisht po vazhdon edhe sot e kësaj dite”, deklaron Kasumi.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenk Gjeta, thotë se pavarësisht vështirësive në këtë drejtim, kontaktet e të dyja grupeve punuese, Prishtinës dhe Beogradit, janë duke vazhduar.

Me pesë tetor delegacioni serbë ka qenë edhe i kemi bërë vizitat në Zhilivod dhe në zonën ku deminohet nga FSK-ja dhe nga një kompani zvicerane, kemi vizituar kryerjen e atyre punimeve. Edhe për çështjen e Rudnicës kemi biseduar të premten e kaluar, për dyshimet për një varrezë masive”, thotë Gjeta.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur vlerësojnë se fajin kryesor për mos-zbardhjen e fatit të të pagjeturve e ka shteti serb.

Por, ata thonë se edhe faktorët tjerë relevantë ndërkombëtarë, të cilët, sipas tyre, nuk kanë bërë presion të mjaftueshëm tek autoritetet serbe lidhur me këtë çështje, janë fajtorë.

Thuhet se ende mungojnë edhe rreth 1800 persona.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG