Ndërlidhjet

BE-ja kërcënon me sanksione shtesë


Bashkimi Evropian kërcënoi me sanksione të reja Iranin, nëse ky vend nuk u kthehet bisedimeve ndërkombëtare.

Në konkluzionet e miratuara në një samit të BE-së, thuhet se këshilli i 27 shteteve anëtare “I kërkon Iranit të respektojë të gjitha obligimet në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Liderët evropianë shfaqën gjithashtu shqetësimet e tyre rreth “mungesës së bashkëpunimit të Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme-përfshirë ato që flasin për dimensionin ushtarak të programit bërthamor të vendit”.

Bisedimet ndërmjet Iranit dhe të ashtuquajturit E3+3 (Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara) u ndërprenë kur Teherani refuzoi të respektojë kërkesën ndërkombëtare për ngrirjen e programit të kundërshtuar bërthamor.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë zbatuar tashmë disa sanksione ndaj Iranit.

Perëndimi dyshon që Irani po ndërton një sistem të armëve bërthamore, gjë që hedhet poshtë nga Teherani zyrtar.
XS
SM
MD
LG