Ndërlidhjet

Vazhdon operacioni i shpëtimit

  • RFE /RL





Ekipet e shpëtimit po e vazhdojnë kërkimin në gërmadhat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti me intensitet 7.2 shkallë të Rihterit, për të gjetur persona që eventualisht ende janë të gjallë.

Raportohet për qindra të vdekur dhe mijëra njerëz që kanë mbetur pa kulm mbi kokë.

Mijëra njerëz e kanë kaluar natën pa strehë, në temperatura shumë të ulët, për shkak të frikës se mund të ndodhin tërmete të tjera në provincën Van, që është e banuar me popullatë shumicë kurde.

Sipas parashikimeve të meteorologëve gjatë ditëve të ardhshme mund të bie edhe borë.

Ekipet e shpëtimit, po ashtu, e kanë vazhduar punën në gjetjen e trupave të pajetën nga gërmadhat në Van dhe në Erkis, prej të dielës, duke punuar me ndihmën e dritës së prodhuar nga gjeneratorët, pasi nuk ka rrymë elektrike.

Ja se si e përshkroi situatën një person, të cilin ekipet e shpëtimit e kishin nxjerrë të gjallë.

Ne ishim të zënë nën gërmadha me vëllaun tim. Mua më tërhoqën, por ai është ende i bllokuar nën gërmadha”, tha ky person.

Ministri i brendshëm, Idriz Naim Sahin, tha se është konfirmuar vdekja e së paku 217 personave.

Ministri Sahin, po ashtu, ka theksuar se duket se dëmet më të mëdha kanë ndodhur në Erkis, ku afro 80 ndërtesa shumëkatëshe janë shkatërruar.

Ai tha se mendohet se banorët janë zënë nën gërmadha të afro 40 ndërtesave.

Ata që janë nxjerrë nga gërmadhat, tregojnë se shumë njerëz ende gjenden të bllokuar në ndërtesat e shkatërruara.

Situata është vërtetë shumë e keqe. Shumë prej shokëve të mijë dhe farefisit ende janë nën gërmadha. Ne ende nuk kemi dëgjuar diçka nga ata”, tha një tjetër person, që ekipet e kanë nxjerrë nga gërmadhat.

Qeveria e Turqisë i ka mobilizuar mijëra punëtorë për kërkim dhe shpëtim nga 38 qytete.

Afro 650 prej tyre po punojnë në Erkis, ndërsa 300 të tjerë në qytetin Van.

Ushtria e Turqisë thotë se i ka dërguar gjashtë batalione të ushtarëve për të ndihmuar në këto operacione.

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, të dielën në mbrëmje e ka vizituar qytetin Van, dhe ka tërhequr vërejtjen se numri i të vdekurve mund të rritet.

Ai ka shprehur shqetësim veçanërisht për qytetet e vogla dhe fshatrat në rajon, që janë afër epiqendrës së tërmetit.

Meqë lidhjet telefonike nuk punojnë, ka pasur shumë pak informacione për dëmet dhe viktimat në hapësirat e largëta malore.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Turqi ka raportuar se Greqia dhe Izraeli kanë bërë oferta për ndihmë, me gjithë raportet e tensionuara aktualisht që i kanë me Turqinë.

Por, kryeministri Erdogan u ka thënë reporterëve në Van se i ka refuzuar këto oferta fillestare për ndihma.

Turqia do të kërkojë ndihmë nga vendet e tjera nëse është e domosdoshme. Ekipet nga Azerbejxhani, Irani dhe Bullgaria tashmë po punojnë në këtë hapësirë”, tha kryeministri Erdogan.

Pjesa juglindore e Turqisë është njëra nga pjesët më të varfra në Turqi dhe për dekada ka përjetuar luftime ndërmjet forcave të sigurisë së Turqisë dhe militantëve separatistë kurdë.

Arritja në qytetin Van është tejet e vështirësuar për shkak se aeroporti kryesor është dëmtuar nga tërmeti dhe shumë rrugë janë bllokuar.

Ministri i brendshëm Sahin, tha se tashmë po ngriten shumë tenda në qytetin Van.

Përgatitjet janë në zhvillim e sipër për të ndërtuar hapësira për vendosjen e njerëzve tanë. Tash ne jemi në stadiumin e futbollit të qytetit. Ne gati e kemi ndërtuar qytetin me tenda. Njerëzit po vazhdojnë të arrijnë. Qindra tenda janë ngritur”, tha ministri Sahin. (f. b.)



Trego komentet

XS
SM
MD
LG