Ndërlidhjet

Miratohen por, pak zbatohen


Ligjvënësit e Kosovës

Ligjvënësit e Kosovës

Raporti i fundit i progresit të Komisionit Evropian ka vlerësuar se në Kosovë vazhdon të ketë mungesë të zbatimit të mirëfilltë të ligjeve.

Një gjë të tillë e thonë edhe vetë deputetet e Kuvendit të Kosovës. Ligjet që janë miratuar, nuk kanë ndonjë mangësi, por, problemi qëndron në mos monitorimin e tyre, sa i takon zbatueshmërisë, thonë disa nga ta.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se Kuvendi i Kosovës nuk po arrin që të kontrollojë ekzekutivin e vendit, sa i përket çështjes së zbatimit të ligjeve.

Problemi themelor është të vullneti i qeverisë për të zbatuar ligjet.
Mendoj se problemi është i dyanshëm. Problemi themelor është të vullneti i qeverisë për të zbatuar ligjet. Kjo nuk duhet të varet në vullnetin e tyre, po duhet të varet në respektimin e ligjit në zbatueshmërinë e tyre për të respektuar ligjet. Në këtë rast Kuvendi do të duhej të ishte promotori kryesor i zbatimit të vullneti të qytetarëve të Kosovës, sepse ligji është vullneti i qytetarëve të Kosovës”, shprehet Gashi.

Një nga segmentet shqetësuese të procesit legjislativ është implementimi i ligjeve, thotë anëtari i tjetër i Komisionit për Legjislacion, Arsim Bajrami nga PDK-ja.

Sipas tij, kjo po ndodhë për faktin që Kuvendi nuk po arrin që të krijojë struktura për monitorimin e zbatimit të ligjeve.

Kjo po bëhet për faktin që Parlamenti i Kosovës nuk arrin të ngritë strukturat e përgatitura për monitorim të ligjeve. Dhe qeveria, në anën tjetër, më tepër po përkushtohen në sponsorizimin e ligjeve, përgatitjen e projektligjeve e më pak në analizat e zbatimit të ligjeve. Si pasojë e kësaj, në procesin legjislativ kemi shumë ligje që po vijnë në riparim, përkatësisht kemi shumë procese të plotësimit dhe ndryshimit të ligjeve, e më pak kemi ligje të reja”, deklaron Bajrami.

Ai mendon gjithashtu se të gjitha ligjet të cilat të duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës, paraprakisht duhet të t’u bëhet një analizë rreth asaj se a mund të zbatohen në terren apo jo.

Gjithmonë kur hartohet një ligj nga qeveria, merret një model i një shteti në rajon dhe nuk merret parasysh realiteti në Kosovë, mundësitë objektive të zbatimit të ligjeve. Unë mendoj që çdo ligj, natyrisht nuk është një zbulim, por çdo ligj krahas shikimit të përvojave, duhet te merr parasysh zbatueshmërinë në kontestin e Kosovës”, sqaron Bajrami.

Kurse, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se problemi më i madh në mos zbatueshmërinë e ligjeve në Kosovë vjen nga mos gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për implementimin e shumë ligjeve.

Për mendimin tim, ata nuk po interesohen asnjëherë për mirëqenien e qytetarit, por vetëm të dalin mirë para Komisionit Evropian.
Nuk ka vullnet të qeverisë, nuk ka vullnet që ato ligje të gjejnë zbatim në praktikë. Për mendimin tim, ata nuk po interesohen asnjëherë për mirëqenien e qytetarit, por vetëm të dalin mirë para Komisionit Evropian. Kjo gjë duhet të ndryshojë”, thekson ajo.

Përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës dhe drejtuesit të organeve të drejtësisë kanë përsëritur disa herë se forcimi i sundimit të ligjit në vend duhet të jetë prioritet dhe angazhim i gjithë mekanizmave vendorë.

Moszbatimi i ligjeve në Kosovë, sipas përfaqësuesve të institucioneve që mbrojnë të drejtat e njeriut, bën të pamundur funksionimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG