Ndërlidhjet

Maqedoni: Kritika në rritje ndaj BE-së


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Letra të shumta në adresë të komisionarit për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, janë nisur nga organizata të ndryshme maqedonase, në shenjë të, siç thuhet, injorimit të identitetit të tyre kombëtar.

“Në Bashkimin Evropian do të hyjmë vetëm si maqedonas; identiteti kombëtar nuk është në shitje” - ky është vetëm njëri nga mesazhet e shumta që përmbajnë letrat në adresë të Brukselit, jo vetëm nga drejtuesit e institucioneve, por edhe nga organizatat studentore, rektorët e universiteteve, lidhja e shkrimtarëve e shumë organizata të tjera, përfshirë madje dhe ato sportive e kulturore maqedonase.

Reagimet pasojnë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ku, përveç vërejtjeve për mungesë reformash, nuk është përmendur në asnjë rast termi maqedonas, gjë që edhe i shkaktoi reagimet e tilla.

Në mesin e atyre që kanë nisur letra në adresë të institucioneve evropiane është edhe presidenti Gjorgje Ivanov.

Ai, në manifestimin me rastin e ditës së VMRO-së, organizatës së brendshme revolucionare maqedonase, tha se shprehja e këtillë e pakënaqësisë nuk duhet kuptuar si mohim i vlerave evropiane apo shmangie nga procesi i integrimit në BE, pa marrë parasysh problemet e brendshme që aktualisht janë të pranishme në union, përfshirë dhe pozicionet kundrejt Maqedonisë.

Gjorgje Ivanov
Gjorgje Ivanov
“Nëse ka ndonjë ngecje të caktuar momentale, për shkak të problemeve të brendshme brenda unionit, kjo nuk do të thotë se ne kemi hequr dorë nga qëllimet tona strategjike, si anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, deklaroi presidenti Ivanov.

Sa i përket komunikimit të tillë me institucionet evropiane, Albert Musiu, përfaqësues i G-XX, u shpreh:

“Janë një reflektim i një nacional-romantizmi që është më i pranishëm kohëve të fundit, që është i iniciuar edhe prej qeverisë dhe fushatave të ndryshme. Mendoj se janë shqetësuese, pasi këtu jetojnë edhe të tjerë përveç maqedonasve dhe kjo mund të ndikojë në tensionimin e marrëdhënieve me Brukselin”.

“Uroj që zyrtarët të fillojnë pak të lëshojnë topin dhe të fillojnë t'i normalizojnë marrëdhëniet, pasi ne nuk mund të ikim nga Brukseli, përderisa kemi si synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Musliu, analist dhe përfaqësues i G-XX, një organizate joqeveritare që kryesisht merret me çështjet e bllokimit të procesit integrues.

Musliu tha se Maqedonia duhet të punojnë në përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim, pasi alternativë tjetër nuk ka - përveç inkuadrimit në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, politikologu Vlladimir Bozhinovski tha se në Maqedoni të gjithë e mbështesin integrimin në BE, por kjo, sipas tij, nuk nënkupton që me çdo kusht të pranohet gjithçka që ofrohet.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka të mundur që të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian dhe një gjë të tillë e vlerësojnë të gjitha partitë politike. Nuk është asnjëri në Maqedoni që të jetë kundër kësaj, por kjo nuk do të thotë se me atë që ne dëshirojmë të hyjmë në BE, të pranojmë edhe gjithçka, pa asnjë debat apo kompromis të pranueshëm”, tha Bozhinovski.
XS
SM
MD
LG