Ndërlidhjet

Turqi: Nga gërmadhat u nxorën gjyshja, vajza e saj dhe mbesa


Ekipet e shpëtimit në Turqi e kanë vazhduar kërkimin për personat e mbijetuar nga tërmeti i fuqishëm që e goditi pjesën juglindore të këtij vendi, ditën e diel.

Sot nga gërmadhat është nxjerrë e gjallë një gjyshe, me vajzën dhe mbesën e saj dyjavëshe, që ishin zënë së bashku nën gërmadha.

Ky shpëtim spektakular ndodhi kur numri i të vdekurve nga tërmeti ka arritur në 430.

Administrata për shkatërrime dhe emergjenca ka njoftuar sot se afro 1300 vetë ishin plagosur, ndërsa më se 2260 ndërtesa janë shkatërruar, nga tërmeti me intensitet 7.2 shkallë të Rihterit, në provincën Van.

Ekipet e shpëtimit thonë se 47 orë pas tërmetit, shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë janë zbehur.

Mijëra njerëz e kanë kaluar natën e dytë duke fjetur në vetura dhe tenda, në mot tejet të ftohtë, pasi kanë frikë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

Në rajonin e qytetit Erkis, që është afër epiqendrës së tërmetit, janë shënuar disa tërmete të mëvonshme.

Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan, tha se Turqia është e aftë, që vetë të merret me pasojat e tërmetit dhe tash për tash nuk ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG