Ndërlidhjet

logo-print

Qendrat e mjekësisë familjare në Kosovë, kanë nevojë për 1,000 mjekë specialistë familjarë.

Sot, numri i përgjithshëm e mjekëve familjarë është rreth 500, andaj sipas zyrtarëve shëndetësorë, ky numër nuk i plotëson nevojat e qytetarëve.

Por, sipas infermiereve që punojnë në Qendra të Mjekësisë Familjare, problemi që këto institucione shëndetësore ballafaqohen, është mungesa e kartelave shëndetësore të pacientëve.

Sipas tyre, pacienti duhet të kontrollohet te mjeku familjar, i cili edhe e përcjellë gjendjen e tij.

Naime Salihu, infermiere, thotë se është esenciale që të lidhen mjeku me pacientin, dhe se ky është qëllimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare.

Secili pacient duhet të orientohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen e vet, e që këto qendra nuk mungojnë në asnjë lagje, sespe numri i madh i pacientëve na shkakton probleme,dhe gjendja e pacientit nuk përcjellet nga një mjek”, thotë Salihu.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se edhe përkundër përpjekjeve për të identifikuar listën e qytetarëve për mjekë familjarë, kjo ka qenë e pamundur për disa arsye.

Andaj, siç thotë ai, institucioni që ai udhëheqë, është duke punuar që shëndetësia publike dhe kujdesi parësor të paraqesin themelin kryesor, mbi të cilin do të zhvillohen edhe shërbimet e nivelit dytësor dhe tretësor.

Përkundër disa pilot-projekteve që kemi pasur, nuk kemi arritur ta identifikojmë listën përfshirëse të qytetarëve për një mjek familjar. Një ndër shkaqet që e kisha përmendur është numri i vogël i specialistëve të mjekëve familjarë. Pastaj është edhe mungesa e regjistrit të qytetarëve, adresat jo të sakta, migrimi i madh nga fshati në qytet. Pra, ka qenë një jostabilitet i madh demografik”, shprehet Agani.

Por, disa pacientë kanë filluar ta humbin besimin te Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Arsim Hamiti, thotë se më shumë i preferon institucionet private shëndetësore, për shkak të, siç thotë ai, shërbimeve më të shpejta shëndetësore.

Nuk kam mjek familjar, sepse kur jam i sëmurë shkoj në spital apo në ndonjë ambulantë private, për shkak se i kryejnë shërbimet më shpejtë”.

E Arbëresha Turjaka, zyrtare për kujdes parësor shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se të gjitha vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim e sipër, janë duke e theksuar për çdo ditë e më shumë rëndësinë e mjekësisë familjare, si shtyllë e sistemit shëndetësor.

Një sistem i cili e ka të zhvilluar mirë kujdesin parësor shëndetësor është sistem më i fuqishëm, ofron shërbime më efektive, kënaqësia e pacientëve është më e madhe, dhe në përgjithësi sistemi funksionon më mirë. Në fillet e zhvillimit të mjekësisë familjare kanë filluar që nga viti 2000, do të thotë atëherë kanë filluar investimet në mjekësi familjare dhe ngritja e burimeve njerëzore”, shprehet Turjaka.

Ndërkaq, ministri Agani pohon se Kosova ka rreth 500 specialistë të mjekësisë familjare, derisa nevojat e qytetarëve janë më të mëdha.

Ai zotohet se në 5 vjetët e ardhshëm do të bëhet trajnimi edhe i 500 mjekëve të tjerë, në mënyrë që të mbulohen kërkesat e qytetarëve.
Sipas projeksioneve tona, Kosova ka nevojë për 1,000 mjekë të specializuar familjarë.

Sipas projeksioneve tona, Kosova ka nevojë për 1,000 mjekë të specializuar familjarë. Rendi i trajnimeve premton që këtë ta arrijmë brenda periudhës së ardhshme 5-vjeçare”, shprehet Agani.

Tashmë Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me një kolegj të mjekësisë të Britanisë së Madhe.

Këtu, mjekët kosovarë do të trajnohen si specialistë të mjekësisë familjare.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG