Ndërlidhjet

WSJ: Të rikthehet besimi në Eurozonë!


Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt.

Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt.

“Wall Street Journal”

Bota është duke pritur me padurim që Evropa të ndërmarrë hapa të tjerë për problemet e saj të borxhit. Por, kontinenti evropian nuk pritet të shkojë shumë larg në samitet e kësaj jave, ndërsa një gjë e tillë i lë hapësirë thellimit të recesionit.

Për Shtetet e Bashkuara, kjo do të thotë një tjetër zvarritje e një ekonomie tashmë të bllokuar nga shpenzimet e pakontrolluara.

Kriza e Evropës do të përkeqësohet dhe Evropa përfundimisht do të duhet, ose të centralizojë qeverinë e saj, ose të lërë euron të shkatërrohet bashkë me disa vende.

Tani për tani, kostot e huamarrjes së Evropës jashtë Gjermanisë do të rriten, ndërsa besimi do të bie – duke shkaktuar kështu largimin e investitorëve dhe shpërndarjen e krizës greke drejt Perëndimit.

Italia tashmë është në recesion, ndërsa raportet e menaxherëve gjermanë kanë konfirmuar rrezikun se edhe Gjermania mund të zhytet në recesion.

Kjo bën që sistemi bankar i Evropës të jetë në rrezik. Ai zotëron shumicën e borxhit kombëtar të Evropës dhe për këtë arsye është shumë i ndjeshëm ndaj rënies së çmimeve të bonove.

Derisa Greqia dhe Portugalia kanë lëvizur në drejtim të ristrukturimit të bonove të tyre, burimet kryesore të financimit për bankat evropiane janë shterur.

Shqetësim i tregut është se edhe vendet e tjera në borxhe do të fundosen dhe do të ristrukturojnë bonot e tyre. Aktualisht, bankat po shesin asetet dhe po planifikojnë lëshime të reja të kapitalit për të mbushur boshllëkun, ndërsa Banka Qendrore Evropiane po u ofron kredi të pakufizuara bankave, përkundër kolateralit të dobët.

Çmimi për rivendosjen e besimit në Evropë nuk është ndoshta aq i lartë sa duket. Investitorët kërkojnë vetëm pak reforma, të cilat do të mund t’i tërhiqnin ata.

Një plan i guximshëm për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare dhe për shitjen e aseteve qeveritare, do të funksiononte.

Derisa rritja përkeqësohet dhe qeveritë refuzojnë shkurtimet, Evropa duhet të përdorë forcën më të madhe financiare për të rikthyer besimin në bonot italiane dhe spanjolle dhe për të stabilizuar financimin bankar.

Një teknikë është blerja e aseteve nga Banka Qendrore Evropiane, e mjaftueshme për të reduktuar rendimentet e bonove në Itali dhe Spanjë.

Rruga e Eurozonës është e qartë, por politikisht e vështirë. Vendet kanë nevojë të shkurtojnë shpenzimet qeveritare, të shesin asetet dhe të lejojnë konkurrencën e sektorit privat.

Si pjesë e një unioni, Eurozona duhet t’i ndajë humbjet nga deficitet e kaluara, të rikthejë besimin në bonot qeveritare dhe të krijojë një sistem që nuk do t’i lejojë politikanët të huazojnë aq shumë, sikur deri më tash.

Alternativat do të jenë shkatërruese për të gjithë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG