Ndërlidhjet

Vota për demokraci apo islamizëm?


Mbështetësit e partisë Enahda...
Mbështetësit e partisë Enahda...

Rezultatet e pjesshme tregojnë se islamistët e moderuar janë duke fituar numrin më të madh të ulëseve për Asamblenë Kushtetutese të Tunizisë.

Rezultatet janë ende duke u numëruar për zgjedhjet e para, të cilat i nxiti Pranvera Arabe.

Partia e moderuar islame e Tunizisë, Enahda, është duke fituar numrin më të madh të ulëseve për një Asamble të re Kushtetuese me mandat draftimin e një kushtetute të re dhe emërimin e udhëheqësve të rinj.

Me rezultatet, të cilat po rrumbullaksohen ngadalë nga zgjedhjet e 23 tetorit, Komisioni Zgjedhor i Tunizisë bëri të ditur se partia Enahda ka fituar, deri më tani, 15 nga 39 ulëset vendore.

Bashkë me votat e diasporës tuniziane, partia ka fituar 24 nga 57 ulëset vendimtare, ose diku 42 për qind të votave.

Partia në fjalë po zhvillon aktualisht bisedime me rivalët e saj rreth formimit të koalicionit të përkohshëm qeverisës.

Partia “Kongresi për Republikën” ka fituar deri më tani vetëm 10 ulëse.

Fitorja e Enahdas, ose partisë së “Rilindjes”, në këto zgjedhje që u nxitën nga protestat e mbajtura në rajon gjatë këtij viti, dërgojnë mesazhin se islamistët e shtyrë anash për një kohë të gjatë, janë duke garuar për fuqi pas Pranverës Arabe.

Partia ishte ndaluar për një kohë të gjatë, nga ish-presidenti Zine el Abidine Ben Ali, derisa u rrëzua regjimi i këtij të fundit në muajin janar.

Mbështetësit festonin në rrugët e Tunizisë duke kënduar himnin kombëtar.

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian thanë se zgjedhjet ishin transparente dhe se ka pasur vetëm parregullsi të vogla.

Shefi i vëzhguesve evropianë, Mishel Galer, tha se veprimet në 97 për qind të qendrave të votimit që u vëzhguan janë “vlerësuar pozitive”.

Ish-presidenti i Perusë, Alehandro Toledo, që shërbeu si vëzhgues i zgjedhjeve në Tunizi, tha se zgjedhjet ishin një fitore e demokracisë.

Këto zgjedhje do të kënë një shkatojnë një valë ndryshimesh në vendet e tjera si Libia, Egjipti, Siria, Jemeni dhe të tjera. Me lejoni t’iu them se organizatorët dhe bordi zgjedhorë kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Vlerësohet se diku 90 për qind e 4.1 milionë banorëve të regjistruar kanë marrë pjesë në zgjedhje.

Por, jo të gjithë janë të lumtur.

Meraim Otmani, një grua 28 vjeçare që punon si gazetare në Tunizi, tha se të drejtat e grave në Tunizi mund të shkatërrohen nga islamistët.

Otmani parashikoi gjithashtu se do të ketë kthim të diktaturës në Tunizi po që se Ennahda arrin të ndërtojë koalicionin e shumicës në Asamble.

Por, analistët politikë thonë se votimet do të ndërtojnë një sistem të kontrollit dhe balancit, i cili pamundëson që të ndodh një gjë e tillë.

Ata thonë se Enahda do të detyrohet të kërkojë aleanca me partitë laike, që do ta dobësojnë ndikimin e saj.

Rezultatet e deritashme lënë të kuptojnë që islamistët kanë dështuar të fitojnë shumicën dërrmuese, gjë që krijon nevojën për formimin e një koalicioni.

Ali Laraid, anëtar i komitetit ekzekutiv të Ennahdas, tha se partia është e gatshme të krijojë një aleancë me Kongresin për Republikë dhe Ettakatol-in, që të dyja parti laike që gëzojnë respektin e inteligjencës laike të Tunizisë.

Mustafa Ben Xhafar, lideri i partisë socialiste Ettakatol, konfirmoi se janë duke vazhduar bisedimet për koalicion me Ennahdan.

Për shumë tunizianë, si Bashir al Abidi, qëllimi kryesor është rindërtimi i shtetit dhe jo ideologjitë e partive.

Ajo që ne duam është dikush që shërbën për të mirën e shtetit dhe që kujdeset për popullin e tij. Kjo është e tëra që ne kërkojmë, pavarësisht se a do të fitojë Ennahda ose ndonjë parti tjetër”, theksoi ai.

Enahda udhëhiqet nga Rashid Ganuçi, një studiues që ishte detyruar të jetojë në ekzilin britanik 22 vite për shkak të kërcënimeve nga regjimi i kaluar.

Ganuçi bazon qasjen e tij në atë të kryeministrit të moderuar islam-kreun e ekzekutivit turk, Rexhep Taip Erdogan.

Ai thotë se partia e tij nuk do të tentojë të imponojë ligjin e Sheriatit në shoqërinë tuniziane ose të detyrojë me ndonjë kod morali miliona turistët e perëndimit që qëndrojnë për pushime në Tunizi.

Duke u futur në garën zgjedhore, sfiduesi më i madh laik i Enahdas, Partia Progresive Demokrate, kishte paralajmëruar në fushatën zgjedhore votuesit potencialë se, po që se fitojnë islamistët, do të viheshin në pikëpyetje vlerat moderne dhe liberale të vendit.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit në Uashington, Viktoria Nuland, tha se pritet të shihet se a do të jetë ligji i Sheriatit ndonjë faktor në kushtetutën e re të Tunizisë.

Kjo çështje përfshin shumë gjëra dhe interpretohet ndryshe në vende të ndryshme dhe nga komentuesë të ndryshëm. Shqetësimi ynë ka të bëjë me kushtetutat e reja të demokracive të reja në botë-ato duhet të përfshijnë standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha ajo. (e.p.)

XS
SM
MD
LG