Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e Kosovës ka kërkuar dinamikë më të përshpejtuar në lidhje me heqjen e barrikadave që janë vendosur nga serbët në veriun e vendit, në përpjekje të penguar qarkullimin kah pikat kufitare 1 dhe 31.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi është shprehur i kënaqur me aksionet e deritashme të KFOR-it e EULEX-it në atë pjesë, por tha se tash duhet një dinamikë tjetër.

Ka nevojë që të jetë një dinamikë më e përshpejtuar, por gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ketë ngritje të tensioneve. Ajo çka mund të themi është se pa kompromis do të jetë heqja e barrikadave në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Kuçi.

Takimet e përfaqësuesve të serbëve të veriut me KFOR-in për arritjen e ndonjë zgjidhjeje për heqjen e barrikadave kanë rezultuar të pasuksesshme për shkak të kushtëzimeve të serbëve.

KFOR-i dhe EULEX-i kanë deklaruar se për lirinë e lëvizjes nuk pranojnë kurrfarë kushtëzimi dhe kjo ka bërë që bllokada në atë pjesë të vazhdojë.

Serbët kanë thënë se lejojnë qarkullimin e konvojeve për furnizimin e KFOR-it në veri dhe kanë kërkuar garanci nga EULEX-i që gjatë kalimit të tyre në veri, të mos transportojnë policët dhe doganierët kosovarë për në Jarinë e Bërnjak.

Kushtëzimet e tilla, Kuçi i quan të paligjshme dhe të pamoralshme.

Unë besoj se heqja e barrikadave, veprimet kriminale nuk janë çështje që negociohen dhe nuk mund të vihen kushte para askujt.


Unë besoj se heqja e barrikadave, veprimet kriminale nuk janë çështje që negociohen dhe nuk mund të vihen kushte para askujt. Qarkullimi i lirë i individëve do të jetë anekënd Republikës së Kosovës dhe po ashtu institucionet e Republikës së Kosovës, do të kenë qasje në gjithë territorin e vendit. Por, atje duhet të krijohen kushte për qytetarët dhe është e pamoralshme, ndër të tjera, përveç që është e paligjshme, të kërkohet që diku të ketë qarkullim për dikë, e për dikë tjetër jo”, u shpreh Kuçi.

Pas takimit me presidentin serb Boris Tadiq, që po ashtu rezultoi i pasuksesshëm, kryetarët ilegalë të komunave veriore kanë kërkuar takim tjetër me komandantin e KFOR-it.

Por, nga KFOR-i bëjnë me dije, se komandanti Erhard Drevs nuk do të takojë këta politikanë, meqë e ka bërë të qartë qëndrimi se liria e lëvizjes është e pakushtëzueshme dhe se barrikadat duhet te hiqen.

Por, takime të nivelit më të ulët do të vazhdojnë të mbahen.

Sidoqoftë, përfaqësues të KFOR-it kanë deklaruar se më parë do të presin, sesa të tensionojnë situatën në veri.

Aksioni i një jave më parë për heqjen e barrikadave në rrugët që çojnë në Bërnjak përfundoi me disa të lënduar lehtë si nga ana e KFOR-it, ashtu edhe nga serbët e barrikaduar.

Ndërkohë, eksperti për çështje sigurie, Agim Musliu, thotë se barrikadat është dashur të largohen më herët. Ai thotë se KFOR-i duhet të zbatojë mandatin e tij.

Është lojtari numër një, ta quajmë ashtu, për sigurinë në Kosovë dhe pasi që ka marrë mbi vete këtë mandat shtesë që t'i largojë këto barrikada dhe t'i hapë rrugët që çojnë në kufi dhe t’i sigurojë kufijtë, atëherë është dashur që më të mos merremi me këtë problematikë, por të jenë të lira rrugët deri në pikën kufitare 1 dhe 31”, theksoi Musliu.

Për veriun e Kosovës do të diskutohet edhe në seancën e radhës në Kuvend.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi të enjten është thirrur në interpelancë nga ana e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Në mocionin katërpikësh që ky grup e ka paraqitur në Kuvend, kërkohet që institucionet e rendit të Republikës së Kosovës të angazhohen vetë në heqjen e barrikadave në veri.

Deputetët e Vetëvendosjes do të kërkojnë nga Qeveria që t’i ndërpresë edhe bisedimet me Serbinë, dhe t’i shpallë të pavlefshme e të pazbatueshme secilën marrëveshje që është arritur deri më tani.

XS
SM
MD
LG