Ndërlidhjet

FOL: Viti 2011-"shterpë" për pasurinë e zyrtarëve


Në deklarimin e pasurisë së vitit 2011 është vërejtur qartë tendenca e zyrtarëve të lartë publikë që ta paraqesin si vit “shterpë”, sa i përket pasurisë që posedojnë duke deklaruar rënie në pasurinë e tyre, thuhet, ndër të tjera, në raportin: “Deklarimi i pasurisë udhëheqësve të institucioneve kryesore publike për vitin 2010 dhe 2011”, të cilin e publikoi Lëvizja FOL.

Në raportin në fjalë jepen të dhënat e deklarimit të pasurisë për zyrtarë të institucioneve të ndryshme kosovare- përfshirë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ministrin e zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, ministrin e punës dhe mirëqenies sociale, Nenad Rashiq, komandantin e përgjithshëm i FSK-së, Sylejman Selimi dhe të tjerë.

Rast të veçantë, sipas Lëvizjes FOL, përbën zëvendëskryeministri i parë, Behxhet Pacolli, i cili në vitin 2010 “në mënyrë të paligjshme kishte kërkuar të mos publikohej pasuria e tij”.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, tha se “është kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion, që deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë publikë të verifikohen për saktësinë e tyre dhe rezultatet e verifikimeve të tilla të bëhen publike për qytetarët e Kosovës”.

Ai tha se Lëvizja FOL do t’i dërgojë kërkesë edhe Prokurorisë së Kosovës në mënyrë që të fillojnë hetimet rreth pasurisë së zyrtarëve të lartë.
XS
SM
MD
LG