Ndërlidhjet

Erki Tuomioja: Serbia t’i largojë strukturat paralele nga Kosova


Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, janë pritur sot në një takim nga Ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës, Erki Tuomioja.

Duke folur për situatën e krijuar në veriun e Kosovës, dy ministrat janë pajtuar që Serbia duhet t’i largojë strukturat paralele nga Kosova, si parakushti i vetëm për hapjen e rrugës drejt Bashkimit Evropian. Ministri Tuomioja ka siguruar Ministrin Hoxhaj që për Finlandën zgjidhja e vetme është implementimi i Pakos Ahtisaari në tërë territorin e Republikës së Kosovës

Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun e tij për ndihmën që shteti finlandez i ka dhënë Kosovës në 12 vjetët e fundit, duke veçuar punën e madhe dhe rolin që ka pasur ish-Presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari, në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Erki Tuomioja, është zotuar se shteti i tij do të vazhdoj mbështetjen e plotë për integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Ai ka theksuar se mbështet fuqishëm dhënien e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës, si dhe lidhjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian, duke shtuar se Finlanda do të ndihmojë Kosovën edhe në synimin e saj për t’u anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare.

Në këtë takim është diskutuar edhe për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy shteteve, ku shumë shpejt pritet të nënshkruhen disa marrëveshje me rëndësi, që do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.
XS
SM
MD
LG