Ndërlidhjet

Kërcënohet Radio Evropa e Lirë në Beograd

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Lëvizja “SNP Nashi”, e cila nga një pjesë e opinionit publik njihet si organizatë ekstremiste dhe ultranacionaliste, ka publikuar në faqen e saj të shkruar një thirrje drejtuar qytetarëve, për ta bindur Korrespodenturën e Radios Evropa e Lirë në Beograd që ta ndryshojë politikën e saj redaktuese.

Në deklaratën që kjo organizatë djathtiste e ka publikuar në faqen e saj të internetit, thuhet se Radio Evropa e Lirë në ueb-faqen e saj "mban hartën e Serbisë pa Kosovën".

“Kërkojmë që harta e pasaktë e Serbisë të hiqet menjëherë. Po ashtu kërkojmë që organet shtetërore të reagojnë në një provokim të tillë, si dhe ta hetojnë rastin, meqë bëhet fjalë për një medium që vepron në Serbi”, thuhet në deklaratë.

Krahas kësaj, përfaqësuesit e kësaj organizate u kanë kërkuar qytetarëve që duke thirrur në telefonat e redaksisë së Radios, t’u shpjegojnë gazetarëve, "në mënyrë të sjellshme dhe të kulturuar", se si duket harta e Serbisë.

Ndaj këtij publikimi ka reaguar drejtori rajonal i Radios Evropa e Lirë, Nenad Pejiq. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve serbe t’i mbrojnë gazetarët e byrosë në Beograd, pas kërcënimeve të organizatës ekstremiste.

“Pres nga autoritetet e Beogradit t’i mbrojnë kolegët tanë dhe të na mundësojnë vazhdimin e punës në kushte normale”, ka thënë Pejiq.

“Parimet e politikës redaktuese të Radios Evropa e Lirë respektohen nga dëgjuesit e Radios dhe lexuesit e portalit të shkruar, të cilët kanë qenë me ne për 18 vjet”, ka shtuar Pejiq.

Ky i fundit ka theksuar se “Evropa e Lirë” do të vazhdojë të raportojë për ngjarjet në Serbi dhe rajon, ndërsa “çdo grup – pa marrë parasysh nëse i takon së djathtës apo së majtës – do të vazhdojë të ketë të drejtë t’i shprehë pikëpamjet e tij”.

Publikimin e organizatës "SNP Nashi" e ka dënuar edhe Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë. Nënkryetarja Jellka Jovanoviq ka thënë se një thirrje e tillë nuk është kundër Radios Evropa e Lirë, por kundër lirisë së mediave.

“Pa marrë parasysh gjuhën modeste që është përdorur në deklaratë, ky është padyshim sulm ndaj Radios Evropa e Lirë dhe ndjekje e një mediumi, i cili raporton në mënyrë profesionale. Asociacioni nuk do të rrijë duarkryq. Ne do të kërkojmë nga autoritetet t’i hetojnë këto kërcënime”.

“Kjo lëvizje është vetëm një degë e Serbisë reaksionare, e cila tenton të na kthejë sërish atje ku kemi qenë para 20 vjetësh. Shpresoj se shteti i Serbisë dhe organet e tij gjyqësore nuk do t’i lejojnë sulmet e tilla”,
ka thënë Jovanoviq.

Organizata “SNP Nashi” njihet për qasjen e saj nacionaliste, ndërsa mbështetësit dhe anëtarët e saj kanë marrë pjesë në përpjekjet për të shkatërruar Paradën e Homoseksualëve, vitin e kaluar. Të njëjtit thuhet se, bashkë me partitë radikale dhe të djathta në Serbi, luftojnë për shpërbërjen e qeverisë aktuale. (v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG