Ndërlidhjet

logo-print

Ndihma ushqimore për banorët e veriut


Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj i shoqëruar nga Kastriot Jashari, drejtor për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, kanë marrë pjesë të enjten në dorëzimin e ndihmave ushqimore për banorët e Kodrës së Minatorëve të veriut të Mitrovicës.

Përmes një komunikate për media, komuna e Mitrovicës, ka bërë të ditur se ndihma ushqimore janë siguruar për 456 familje të veriut, si për shqiptarë, turq, romë, serbë etj.

Zëvendësministri Shurdhaj, tha se ky projekt për ndihma ushqimore po realizohet me kërkesë të Komunës së Mitrovicës, të cilët e kanë vlerësuar të drejtë një gjë të tillë duke marrë parasysh situatën në veri. “Mbështetja jonë nuk do të mungoj në asnjë aspekt sa i përket mbështetjes së banorëve të veriut që kanë probleme ekonomike dhe sociale pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, ka theksuar ai.

Ndërsa Kastriot Jashari, drejtor për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, tha se për shkak të rrethanave në veri, banorët herë pas herë janë ankuar për mungesë të ushqimeve. “Ne jemi duke bërë krejt çka është e mundur që të jemi pranë banorëve të veriut, meqë kushtet në të cilat jetojnë janë shumë të rënda”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Miftar Cerani, përfaqësues i banorëve të Kodrës së Minatorëve, pasi falënderoi zyrtarët qeveritarë dhe ata komunalë për mbështetjen, tha se këto ndihma sado pak e lehtësojnë gjendjen e banorëve. “Është bërë kohë e gjatë që jetojmë në rrethana të tilla të rënduara. Si pasojë e kësaj gjendjeje banorët jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale”, u shpreh ai.
XS
SM
MD
LG