Ndërlidhjet

CSM: Marrëdhëniet SHBA-Rusi pas rikthimit të Putinit


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

"Christian Science Monitor"


Komuniteti i politikës së jashtme ruse po vëzhgon me nervozizëm në rritje se si republikanët e Shteteve të Bashkuara po shprehin zemërim ndaj “rivendosjes”, tashmë të trazuar, të marrëdhënieve SHBA-Rusi, të cilat Kremlini i sheh jetike për planet e tij të ardhshme, në rikthimin e ndikimit rus në botë.

Të gjithë republikanët e kanë kritikuar politikën e zotit Obama për ndërtimin e marrëdhënieve të forta dhe praktike me Moskën, si dhe për promovimin e dobët të mospajtimeve amerikane me shpërdorimet e pushtetit në Rusi dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë vend.

Por, megjithatë, dhjetorin e kaluar, dhjetëra senatorë republikanë iu bashkuan demokratëve për të fituar dy të tretat e nevojshme të Senatit, për ratifikimin e marrëveshjes START (Marrëveshja për Reduktimin e Armëve Bërthamore). Këtë të fundit, Moska e ka parë si shenjë se pragmatizmi do të mbizotërojë gjithmonë në Uashington.

Por, tani, ekspertët rusë nuk duken edhe aq të sigurt.

Që kur ish-presidenti Vladimir Putin vendosi të lërë mënjanë pasardhësin e zgjedhur nga vetë ai, Dimitri Medvedev, dhe të kërkojë një mandat të ri si udhëheqës suprem i Rusisë, Shtetet e Bashkuara kanë ashpërsuar tonet e diskutimit për Rusinë.

Plani i publikuar së fundmi i zotit Putin, i cili ka për qëllim krijimin e një “Bashkimi Euroaziatik” - një aleancë ekonomike dhe politike e ish-shteteve sovjetike - ka shkaktuar frikë në Perëndim se qëllimi strategjik i Rusisë është të rikthejë Bashkimin Sovjetik, si dhe rivalitetin e saj historik me Shtetet e Bashkuara.

“Kemi shpresuar se rivendosja e marrëdhënieve me SHBA-në do ta ndihmojë Rusinë të lëvizë drejt një partneriteti më miqësor dhe më të afërt me Perëndimin, por një gjë e tillë duket të venitet shpejt”, thotë Viktor Kremeniuku, zëvendësdrejtor i Institutit për Studime të SHBA-së dhe Kanadasë në Moskë.

Tani, opinioni i përgjithshëm në SHBA është se Rusia po bëhet një shtet autoritar me figurën e frikshme të Putinit si president. Kjo duket të jetë humbje shprese”, shton ai.

Në një intervistë dhënë “Washington Post”-it këtë muaj, pretenduesi republikan për president, Mit Romnej, është cituar të ketë thënë se Putini “ëndërron të rindërtojë Perandorinë Ruse”. Strategjia e Obamës për rivendosjen e marrëdhënieve “duhet të marrë fund… ne duhet të tregohemi të fortë”, ka thënë Romnej.

Në konferencën e së martës në Uashington, kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit, Xhon Bohner, ka kritikuar Rusinë për “përdorimin e mjeteve dhe mendimeve të vjetra” si përpjekje “për të rikthyer stilin sovjetik të pushtetit dhe të ndikimit”, ndërsa ka bërë thirrje për masa më të ashpra që do t’i frenonin ambiciet ruse.

Në të njëjtin takim, Geri Kasparov, udhëheqës i lëvizjes së ndaluar opozitare “Një Rusi tjetër”, u ka bërë thirrje amerikanëve të marrin parasysh këshillën e Ronald Reganit dhe ta trajtojnë Rusinë e Putinit si një “perandori të keqe” përtej zonës së kombeve të qytetëruara.

Zënka aktuale midis Moskës dhe Uashingtonit, e cila ka të bëjë me vdekjen e dyshimtë të avokatit rus, Sergej Magnicki, në njërin nga burgjet e Moskës, ilustron qartë përse Moska preferon Obamën nga çdonjëri republikan që do të mund të vinte në Shtëpinë e Bardhë.

Projekt-ligji që aktualisht është para Senatit amerikan dhe që mbështetet fuqishëm nga republikanët, do të vinte kufizime të ashpra udhëtimi dhe gjoba financiare për zyrtarët rusë, që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin Magnicki.

Por, Departamenti Amerikan i Shtetit ka parandaluar ligjin, duke nxjerrë vetë listën “sekrete” të zyrtarëve të dyshuar, pa imponuar ndonjë sanksion financiar. Fundjavën e kaluar, Moska ka bërë publike listën e saj të zyrtarëve amerikanë - “të implikuar në abuzime me të drejtat e njeriut” - të cilëve do t’iu ndalohet hyrja në Rusi.

“Në pamje të jashtme duket si një mosmarrëveshje e keqe, por në fakt ne i shohim veprimet e administratës Obama si provë se është e angazhuar në rivendosjen e marrëdhënieve”, thotë Dimitri Suslovin, ekspert i Këshillit për Politika të Jashtme dhe të Mbrojtjes në Moskë, dhe shton:

“Ligji i Senatit është thjesht anti-rus dhe për momentin Obama ka arritur ta vonojë atë. Është vlerësuar në masë të madhe në Moskë…”.

Analistët rusë thonë se “rivendosja e marrëdhënieve” ka sjellë pak përfitime dhe nëse presidenti i ardhshëm amerikan e braktis atë, bota do të bëhet një vend më i rrezikshëm. (v.t.)
XS
SM
MD
LG