Ndërlidhjet

Serbia humbi kontrollin në veri


Jarinë (Foto nga arkivi)
Jarinë (Foto nga arkivi)
"The Economist"

Qeveria e Serbisë ka humbur kontrollin e veriut, të banuar me shumicë serbe, në Kosovë. Rrugët janë barrikaduar dhe vendësit po voziten me paqeruajtësit e NATO-s dhe Policinë e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i ka lutur kryetarët serbë të komunave veriore që t’i hapin rrugët. Në Beograd, opozita e Serbisë nuhat gjak.

Serbët e Kosovës kanë bllokuar rrugët, sepse duan të pengojnë Policinë e Kosovës dhe doganierët nga stacionimi në dy pikat kufitare me Serbinë.

Për ta, ky do të ishte hapi i parë drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008. Janë rreth 120 mijë serbë në Kosovë, rreth një e treta e të cilëve jeton në veri. Pjesa tjetër e Kosovës është e dominuar nga shqiptarët.

Për një të huaj, grumbujt e trungjeve nëpër rrugë paraqesin vetëm një barrikadë. Por, për ish-jugosllavët ato evokojnë emocione komplekse.

Më 1990, serbët në rajonin e Krajinës, në Kroaci, filluan “revolucionin e tyre të trungjeve”. Me bllokimin e rrugëve, ata nisën të ndërtojnë shtetin e vogël të ndarë serb. Pas pesë vjetësh dhe pas një lufte të mëvonshme, ata u dëbuan nga Krajina nga ana e armatës fitimtare kroate.

Nuk duket se ka të ngjarë që trungjet në rrugët e Kosovës të çojnë drejt një katastrofe të ngjashme. Por, disa analistë janë të shqetësuar se bllokadat mund të kthehen në diçka të rrezikshme.

Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR-i, dëshiron që t’i heqë barrikadat. Dhjetëra protestues janë lënduar në përleshje, edhe pse KFOR-i deri më tani është përmbajtur nga përdorimi i forcës.

Konflikti ka minuar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat dukeshin premtuese kur filluan në Bruksel, në muajin mars.

Më 12 tetor, Komisioni Evropian rekomandoi se liderët e BE-së duhet t’ia japin Serbisë statusin e kandidatit, me kusht që të arrihet “përparim domethënës” në këto bisedime. Por, tani trungjet po e bllokojnë rrugën e Serbisë drejt Brukselit.

Patriarku i Kishës Serbe i ka mbështetur protestuesit. Për të keqen e Tadiqit, shumica e liderëve të serbëve të veriut të Kosovës vijnë nga partitë opozitare.

Tadiqi dëshironte të fitonte kandidaturën e BE-së, e cila do t’i ndihmonte që të rifitonte në zgjedhjet e pranverës.

Opozita shpreson saktësisht të kundërtën. Gjermania dhe Franca nuk po nguten për zgjerimin e mëtejmë të BE-së. A mund të dalë Tadiqi nga ky kënd i ngushtë? Ai është politikan i zoti, por hapësira për manovrim i është kufizuar. Dhe, po qe se një serb vritet nga buldozerët e KFOR-it, të gjitha bastet bien. (a.i.)
XS
SM
MD
LG