Ndërlidhjet

BE: Kolegji, për të cilin nuk dihet shumë


Mesatarisht, 400 persona në vit diplomojnë në Kolegjin e Evropës.
Mesatarisht, 400 persona në vit diplomojnë në Kolegjin e Evropës.
Kolegji i Evropës mund të jetë një shkollë shumë e rëndësishme, për të cilën ndoshta nuk keni dëgjuar kurrë.

I paraparë për të ndihmuar në forcimin e identitetit të përbashkët evropian, pas Luftës së Dytë Botërore, ky institucion ka evoluar në shkollë trajnuese për zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Në një sallë të ligjëratave, afro 100 studentë shkruajnë diçka me shpejtësi, derisa profesori Zhak Rupnik tregon një varg hartash që përshkruajnë kontinentin evropian gjatë shekullit të kaluar.

Por, kjo nuk është një ligjëratë e zakonshme historike. Kjo është njëra nga shkollat më të rëndësishme, për të cilën ju ndoshta nuk keni dëgjuar kurrë: Kolegji i Evropës.

Çdo vit, mesatarisht 400 vetë diplomojnë dhe e marrin titullin Master të Studimeve Evropiane, pasi i kryejnë studimet në gjuhën angleze dhe franceze.

Komisioni Evropian e financon këtë kolegj me një të katërtën e shpenzimeve të tij, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga donatorët privatë, qeveritë e pjesës më të madhe të BE-së dhe nga pagesa për shkollim.

Akademiku francez, Zhak Rupnik, nuk pajtohet me vlerësimin se ky kolegj nuk është asgjë tjetër veçse një fabrikë e eurokratëve.

Zhak Rupnik
Zhak Rupnik
“Ky nuk është grup eurofil, homogjen dhe me tru të shpërlarë. Ky është një shembull shumë i mençur i asaj se çka mund të jetë elita evropiane. Por, jo në kuptimin e keq të fjalës”.

“E di se kur thoni euroelit, ju mendoni: ja, këta janë teknokratët e Brukselit. Së paku kështu e shoh unë aktualisht, por ndoshta ndonjë ditë, disa prej tyre mund të bëhen të atillë”,
thotë Rupnik.

Pavarësisht nga kjo, shumica e të diplomuarve në këtë institucion, herët ose vonë, përfundojnë në Bruksel.

Studenti Tomas, nga Austria, thotë se e ka lënë Ministrinë e Jashtme të Austrisë për t’i ndjekur mësimet në këtë kolegj, në Bryzh të Belgjikës. Ai shpreson që pas diplomimit të gjejë punë në Komisionin Evropian.

“Mendoj se Kolegji i Evropës, këtu në Bryzh, e ka një reputacion të veçantë në mbarë Evropën. Kur i shikoj të gjithë kolegët e mi, secili është i fascinuar nga kjo ide, që ne mund t’i kapërcejmë disa rivalitete të vjetra ndërmjet shteteve dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Atmosfera këtu është speciale”, thotë Tomas.

I formuar pas Luftës së Dytë Botërore nga liderët evropianë, përfshirë ish-kryeministrin britanik, Uinston Çërçill, ky kolegj është parë si mjet për ta evituar një shkatërrim tjetër në kontinent.

Ideja ishte t’iu mundësonte studentëve, kryesisht nga Gjermania dhe Franca, ta njohin më mirë njëri-tjetrin dhe t’i shkëmbejnë idetë.

Më vonë, shkolla u shndërrua në një pikë euro-federaliste, ku të ashtuquajturit “evropianë të rinj” synonin të shërbenin për kontinentin si të tërë, e jo vetëm për interesa të ngushtë kombëtarë.

Lidhur me këtë çështje, drejtori i Shërbimeve Akademike, Tierri Monforti, thotë:

“Ne nuk e mbrojmë ndonjë ideologji specifike ose opinion këtu në kolegj. Është e qartë se kolegji është pro-aktiv dhe shpresojmë për integrim më të mirë në Evropë. Kjo është edhe dëshira jonë. Por, nuk dihet se si do të evoluojë”.

“Nëse ne në fillim supozonim për krijimin e evropianëve të rinj, tash duhet të kihet parasysh se detyra jonë e parë është që t’i arsimojmë njerëzit e rinj si evropianë të rinj, demokratikë, që besojnë në të ardhmen e Evropës”,
thotë Monforti. (f.b.)
XS
SM
MD
LG