Ndërlidhjet

logo-print

Sarajeva zyrtare dënon sulmin ndaj ambasadës amerikane


Autoritetet boshnjake e kanë dënuar sulmin që për cak kishte ambasadën amerikane në Sarajevë.

Sulmi me armë zjarri nga një person që besohet të jetë qytetar i Novi Pazarit u cilësua si sulm- jo vetëm ndaj misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara, por edhe ndaj Sarajevës zyrtare.

Ministri i brendshëm i Bosnjës, Sadik Ahmetoviq, e quajti serioz sulmin në fjalë.

“Ky është një incident serioz. Ky është një sulm ndaj misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Bosnjë. Shtetet e Bashkuara janë një mik i Bosnjës, andaj ky është një sulm i fuqishëm edhe ndaj nesh e jo vetëm ndaj ambasadës amerikane. Ajo që mund të them për momentin është që policia ishte efikase në punën e saj. Personi që hyri këtë mëngjes në Bosnjë u ndal në tentimin e tij për të shkaktuar një problem më të madh dhe për t’ua marrë jetën njerëzve”, tha ai.

Ambasada amerikane, ndërkohë, vetëm konfirmoi rastin, por nuk dha hollësi të tjera. Zëdhënësja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Bosnjës, Sanja Pejçinoviq, u shpreh:

“Në këtë moment vetëm mund të konfirmojmë se ka ndodhur incidenti në ambasadën amerikane. Ambasada është mbyllur. Ne jemi duke pritur policinë për ta rivendosur rregullin. Sapo të marrim informata të reja, do t’i ndajmë me ju”, tha ajo.

Policia, ndërkaq, ka formuar një kordon sigurie përreth zonës ku ndodhet ambasada. Komunikacioni dhe lëvizja e njerëzve në pjesën ku ndodhet ambasada, thuhet të jetë bllokuar tërësisht.

Sulmuesi thuhet se ështe plagosur gjatë aksionit të policisë.

Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë, citoi një mjek, Baik Nakash, të ketë thënë se është duke trajtuar një pacient që është rojtar në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.

“Këtë pasditë ne kemi pranuar një pacient që është rojtar në ambasadën amerikane. Ai është i plagosur në të dy këmbët. Ai do t’i nënshtrohet operacionit, por është jashtë rrezikut për jetë”, u shpreh Nakash.

Të paktën një polic raportohet të jetë plagosur gjatë incidentit.

Motivet e sulmit nuk dihen ende.
XS
SM
MD
LG