Ndërlidhjet

Rezervat e para shtetërore - këtë vit


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Brenda këtij viti Kosova do t’i ketë rezervat e para shtetërore, konfirmojnë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, për Radion Evropa e Lirë thotë se janë në fazën finale të fillimit të mbledhjes së rezervave shtetërore. Ajo tregon se është formuar Departamenti në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe është formuar grupi ndërqeveritar për këtë çështje.

Brenda këtij viti besojmë se do t’i kemi rezervat e para shtetërore.

“Janë bërë të gjitha specifikat për produktet, të cilat duhet të ekzistojnë në rezerva shtetërore. Tani ka mbetur të shihen format për fillimin e krijimit të rezervave të para shtetërore".

" Parashihen tri forma të krijimit të rezervave, përmes buxhetit të Republikës së Kosovës, mallrat që vijnë si ndihmë humanitare, donacionet në mallra dhe ndihma financiare, si dhe mallrat e konfiskuara që hyjnë në mënyrë të paligjshme dhe mund të konsiderohen si mallra që mund të hyjnë në rezerva shtetërore. Brenda këtij viti besojmë se do t’i kemi rezervat e para shtetërore”,
deklaron Kusari - Lila.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, thotë se produktet, që konsiderohen si rezerva shtetërore, do të grumbullohen tek operatorët privatë të kontraktuar nga Qeveria, e të cilët në momentin kur nevojiten ato produkte, do të tërhiqen.

Mimoza Kusari Lila
Mimoza Kusari Lila

“Nënkuptohet se është miratuar edhe lista esenciale e rezervave shtetërore si në të gjitha vendet tjera të botës. Fillohet me grurin, pastaj me produktet tjera esenciale ushqimore, me produktet tjera për raste emergjente siç janë produktet për shëndetësi, sanitari, por edhe produkte tjera që nevojiten në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo të rasteve tjera”, thekson Kusari - Lila.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve ekonomike në Prishtinë, thonë se rezervat shtetërore janë shumë të domosdoshme për një vend dhe kritikojnë institucionet për neglizhencën e treguar në këtë drejtim

Profesori i Ekonomisë, në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, thotë se një shtet i pavarur nuk guxon të jetë pa rezerva shtetërore. Sipas tij, Qeveria e Kosovë duhet t’i grumbullojë produktet esenciale, në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo ndonjë gjendjeje tjetër,

“Ne nuk kemi asnjë lloj rezerva shtetërore dhe një shtet, i cili nuk ka rezerva shtetërore në çdo moment mund të jetë në krizë, sepse është i varur nga regjioni nga ndonjë vend tjetër apo prodhuesit e tjerë”, vlerëson Tahiri.

Profesor Tahiri thekson se në mungesë të rezervave shtetërore, qytetarët shumë herë nuk kanë mundur të gëzojnë mbështetjen e shtetit, në rast të fatkeqësive natyrore apo krizave të ndryshme ekonomike.

Rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, si dhe për shëndetin e popullatës.

XS
SM
MD
LG