Ndërlidhjet

logo-print
Bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit, si dhe hartimi i një plani të përbashkët mes këtyre vendeve do t`i hapë rrugë shfrytëzimit të fondeve IPA-s (Instrumenti i Para Aderimit), dedikuar për zhvillimin e ekonomive të vendeve që aspirojnë Bashkimin Evropian, thonë zyrtarë nga Oda Ekomomike e Turizmit në Maqedoni.

"Projektet për bashkëpunim ndërkufitar do të jenë prioritet për 2012-n, ngaqë na mungojnë dhe nuk i kemi shfrytëzuar deri më tani aspak mjetet financiare të fondit evropian IPA 2. Këtu kemi mundësi të mira me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Kosovën, me të cilën kemi nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim", thekson Vanja Stojkovska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Të dhënat nga dikasteri i ekonomisë së Maqedonisë flasin se numri i turistëve në Maqedoni gjatë këtij viti është rritur për 9,1 për qind, ndërsa numri i turistëve të huaj është rritur për 24,5 për qind.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini, thotë se hapat e parë të bisedimeve me autoritetet zyrtare të Kosovës janë bërë dhe se Maqedonia, tashmë krah për krah me Kosovën, do të prezantohet para investitorëve të huaj dhe donacioneve të ndryshme ndërkombëtare.

Angazhohemi që të bëjmë një plan, me të cilin investitorët do të mund të investonin edhe në pjesën kosovare edhe në pjesën e Maqedonisë. Dukshëm do të ndryshohej pamja e maleve të Sharrit, po qe se mundohemi t’i bashkojmë dy vendet ku kryesisht jetojnë shqiptarë. Edhe turizmi dimëror do t’i bashkonte në mënyrë tjetër dhe ne do të kishim investime të shumta në ato rajone”.

“Prandaj, në të ardhmen ne planifikojmë të bëjmë një grup punues, ku do t’i inkuadrojmë edhe elektranat e Maqedonisë, të cilat do të na ndihmojnë për ta përpiluar master-planin, si bazë për investitorët, që cilët do të mund të investojnë në pjesën e Sharrit, kryesisht në Kodrën e Diellit”,
shpjegon Saraçini.

Ndërkohë, Menderes Kuçi, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se shfrytëzimi i IPA fondeve, është pothuajse i pamundur nëse mungon bashkëpunimi rajonal, sepse kapaciteti konsumues i këtyre vendeve në veçanti, është shumë i vogël.

Ne jemi dëshmitarë të asaj se shumë pak shfrytëzohen IPA fondet, qoftë nga Maqedonia, qoftë nga vendet tjera të rajonit. Më duhet të theksoj se kjo që bëjnë autoritetet zyrtare, si nga Maqedonia, ashtu dhe nga Kosova, është një nismë e mbarë që të nisë të shfrytëzohet nga këto mjete dhe rezultatet e tyre domosdo do të vijnë pak nga pak”.

“Fillimisht, është mirë se do të nisin të animohen kompanitë vendase dhe është mirë se me këtë jo vetëm se nuk do të digjen këto fonde, por llogariten si impuls i mirë për zhvillimin e ekonomive të vendeve të rajonit, qoftë edhe nëse realizohet vetëm 10 për qind nga këto fonde të planifikuara nga qeveritë e vendeve të rajonit”, sqaron Kuçi.
XS
SM
MD
LG