Ndërlidhjet

Fëmijët e braktisur: Shumë procedura për birësim


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Në Kosovë çdo vit braktisen rreth 70 fëmijë, të cilët presin të gjejnë ngrohtësi në ndonjë familje. Mirëpo, për të birësuar fëmijë, siç thonë zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duhet kaluar nëpër shumë procedura, të cilat ndodh të zgjasin deri në tre vjet.

Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se nga ana e punëtorëve socialë, bëhen hetime të thella, para se prindërit potencialë të futen në listën për birësimin e fëmijëve.

“Për të birësuar një fëmijë, duhet kaluar në disa procedura dhe pritja mund të zgjasë nga një deri në tre vjet. Janë disa procedura që patjetër duhet kaluar në to, si mosha adekuate që mund të rrisin fëmijë, të mos jenë nën hetime, të mos jenë të dënuar, të kenë mjete për ekzistencë, të mos ju ketë marrë zotësia e veprimit, sepse ka raste kur njerëzit janë abuzues me fëmijë dhe ju merret e drejta prindërore nga gjykata. Andaj punëtorët e ministrisë sonë i bëjnë këto hetime para se të birësohet një fëmijë”, bën të ditur Gjocaj.

Por, psikologët në vend thonë se rëndësia për t’u birësuar një fëmijë edhe prej prindërve jo biologjikë, është shumë e madhe, sepse fëmijët kanë nevojë për një nënë, qoftë ajo edhe jo biologjike.


Anduena Arrni, psikologe, thotë se rëndësia e birësimit deri në moshën njëvjeçare është shumë e madhe. Ajo jep më shumë hollësi:

“Sipas statistikave botërore, është evidente që edhe vdekshmëria foshnjave është më e madhe nëse nuk gjendet një nënë që do t’i ofrojë përkujdesje fëmijës. Në anën tjetër, edhe familja birësuese që vendos të marrë një fëmijë, duhet të jetë e pjekur psikikisht për të ditur si t’i mënjanojë pasojat në të ardhmen, të cilat fëmija mund t’i bartë nga fakti që familja e tij nuk është familja biologjike. Por, është shumë e rëndësishme që fëmijës t’i gjendet një familje deri në moshën njëvjeçare”.

Por, sa ka kërkesa për të birësuar fëmijë? Gjocaj thotë se aplikacionet që mbushen në zyrat e kësaj ministrie, janë katërfish më të mëdha sesa numri i fëmijëve që presin për birësim.

Kërkesa ka shumë. Mund të jenë 4 me 1, që do të thotë se katër kërkesa me një fëmijë potencial për birësim. Por, kjo ndryshon nga komuna në komunë. Prishtina prin me kërkesë më të madhe për birësim, si dhe me numër më të madh të fëmijëve të braktisur”, shpjegon Gjocaj.


Ndërkaq, Blerta Perolli - Shehu, udhëheqëse e programit për fëmijët e braktisur në SOS Kinderdorf, thotë se për shkak të procedurave të gjata dhe analizave të familjes birësuese, statistikat flasin se ka rënie të numrit të fëmijëve që birësohen.

“Në vitin 2010, kemi marrë nën përkujdesje 74 fëmijë, prej cilëve 41 bebe, dhe sivjet 64 fëmijë, ku 31 janë bebe 0 deri në 3 vjeç. Prej këtyre statistikave, në vitin 2009, 3 fëmijë janë bashkuar me prindërit biologjikë, në vitin 2010 - 3 fëmijë dhe në vitin 2011 një fëmijë është bashkuar me prindër biologjikë. Pesëmbëdhjetë fëmijë janë birësuar në vitin 2009, në vitin 2010 - 14 fëmijë, derisa këtë vit janë birësuar 4 fëmijë”.

“Këto janë statistikat e SOS Kinderdorfit. Siç po shihet prej statistikave tona, është numër i vogël i birësimit, por tash a është çështja tek interesimi i prindërve potencialë, apo te proceduat shumë të gjata të birësimit, mbetet të hulumtohet”
, thotë Blerta Perolli - Shehu.

Sidoqoftë edhe pse procedurat për birësim mund të duken të koklavitura, Gjocaj thotë se janë të vendosur të shkojnë nëpër gjitha këto procedura, sepse, siç shprehet ai, kemi të bëjmë me fatin e një fëmije.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG