Ndërlidhjet

logo-print
Në Kosovë janë rreth 35 mijë familje me 182 mijë anëtarë që përfitojnë ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Kërkesa e këtyre familjeve, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shënuar rritje.

Megjithatë, janë duke u shikuar detajet nëse vërtetë këto familje përmbushin kriteret për të hyrë në mbrojtje sociale.

Numri i kërkesave nga komuna është në rritje, por kjo nuk bëhet në bazë të sondazheve, por janë shifra variabile dhe herë pas here kanë kërkesa shtesë. Por, nuk mendojmë që të gjitha këto kërkesa janë në nivelin e duhur dhe janë të nevojshme”, thotë ministri i punës dhe mirëqenies sociale, Nenad Rashiq.

Ai shton se jo të gjitha familjet që paraqesin kërkesa për asistencë sociale kanë nevojë për ndihmë.

Asistenca sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj vazhdon të mbetet e pamjaftueshme për t'i mbuluar shpenzimet mujore të një familjeje.

Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se shuma e mjeteve financiare të cilat këto familje marrin, nuk përmbushë as nevojat elementare.

Rudina Heroi, nga Instituti për Studime të Avancuara, thotë se në bazë të hulumtimeve që kanë bërë, një shportë mujore prej 3 deri në 5 anëtarë mund të mbulohet me 80, por në të cilën, siç thotë ajo, përfshihen vetëm gjërat elementare për të jetuar.

Shporta e konsumatorit përbën një të ardhur mujore rreth 80 euro, dhe familjet me asistencë sociale, nën 80 euro nuk janë në gjendje të mbulojnë as konsumin e nevojshëm, e mos të flasim për shpenzimet tjera siç është energjia, uji e të tjera”, thotë ajo.

Situata ekonomike e familjeve kosovare vlerësohet të jetë vështirësuar edhe më shumë gjatë viteve të fundit, kur në tregun e Kosovës janë shënuar ngritje të çmimeve të produkteve elementare, ndërsa vlera e asistencës sociale ka mbetur e njëjtë.

Rudina Heroi thekson se Qeveria e Kosovës ka kapacitete për të rritur shumën e asistencës sociale.
Kjo mund të arrihet nëse ndalen pak shpenzimet e qeverisë, siç janë telefonat, karburantet...

Varësisht në bazë të alokimit të mjeteve, sigurisht që mund të rritet shuma e mjeteve në këtë aspekt. Kjo mund të arrihet nëse ndalen pak shpenzimet e qeverisë, siç janë telefonat, karburantet, dhe ato para të alokohen në asistenca sociale, por kjo mbetet në dëshirën e qeverisë sonë”, shprehet Heroi.

Sidoqoftë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, thotë se në vitin 2012 nuk pritet të ketë ndonjë rritje të theksuar të kësaj ndihme.

Mjetet janë të njëjta në vitin e parë, por me injeksion ka një dallim të mjeteve rreth 3 milionë. Ligji është shumë mirë i përgatitur, por na duhet edhe ndihmë nga faktorët relevantë siç është Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky ligj në nivelin teknik është një ligj premtues dhe mund të jetë një shembull edhe për vendet në rajon”, thotë Rashiq.

Kosova ka krijuar një bazë të politikave sociale, që përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e pleqërisë dhe kontribut-dhënëse, pastaj pensionet e personave me aftësi të kufizuara dhe pensionet e Trepçës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG