Ndërlidhjet

logo-print

Independent: Tensionet serbë - shqiptarë shpërthejnë në Kosovë


Në veri të Kosovës...

Në veri të Kosovës...

"The Independent"

Një turmë njerëzish me vështrim kërkues, po qëndron në maje të gishtërinjve pranë mureve mbi dy metërshe.

Në anën tjetër, një tendë e gjelbër balancon pistën e pabarabartë. Flamuri i Serbisë, kuq, kaltër e bardh po fluturon në ajër.

Brenda tendave, burra të moshës së mesme përcjellin lajmet me imazhe të një konfrontimi të dhunshëm mes ushtarëve dhe civilëve.

Pjesa tjetër e tendës është e zbrazët, përveç një fëmije të vogël që vizaton me dorën e tij.

Për banorët lokalë, muri paraqet një deklaratë politike dhe një barrierë fizike kundër një qeverie të cilën nuk e njeh.

Tensionet po rriten këtu, në këtë rajon që po përballet me përçarjen më të keqe civile që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Mitrovica e veriut të Kosovës, e ndarë etnikisht, është vend me një popullsi prej 60.000 serbëve.

Rajoni malor është shndërruar në një nga enklavat e fundit serbe në Kosovë, që kur qeveria me shumicë shqiptarësh në Prishtinë, ka shpallur pavarësinë.

Opinioni ndërkombëtar është ende i ndarë rreth ligjësisë së bazës për statusin e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania bëjnë pjesë në 70 vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por, pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, së bashku me Kinën dhe Rusinë ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Derisa Prishtina e konsideron veriun si pjesë të Kosovës, kjo zonë ende mbetet në kontroll të tërthortë nga Serbia, që nga lufta e vitit 1999.

Monedha e shkëmbimit për ushqim dhe taksi është dinari serb, në kundërshtim me euron e përdorur në pjesën tjetër të Kosovës.

Gjuha serbe, më tepër se ajo shqipe, është gjuhë ë përbashkët e kësaj pjese, dhe institucionet publike si spitalet, janë të financuara nga sektori publik i Serbisë.

Edhe pse e pakëndshme, për Qeverinë e Kosovës, kjo situatë u kuptua si kompromis jozyrtar, i nevojshëm për të siguruar stabilitetin në këtë rajon të paqëndrueshëm.

Megjithatë, një vendim politik i marrë tre muaj më parë tani kërcënon të zbulojë këtë marrëveshje të brishtë paqeje.

Problemet filluan kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është vet subjekt i dyshimeve për trafikim të organeve, gjë që ai gjithmonë e ka mohuar, vendosi policë dhe doganierë kryesisht shqiptarë në pikat e kontrollit në veri të Kosovës.

Zoti Thaçi e arsyetoi këtë veprim, si të nevojshëm për të ndaluar hyrjen e mallrave nga Serbia, në përgjigje të ndalesës për mallra kosovare që ekziston në Serbi.

Por kjo u interpretua ndryshe nga popullsia lokale, e cila e pa lëvizjen si një fyerje për liritë civile dhe një precedent që do të rezultonte me paraqitjen e sundimit të shqiptarëve.

Një turmë e fortë e përbërë prej 100 serbëve të zemëruar sulmuan dy pikat doganore, ku oficerët shqiptarë ishin vendosur, duke e vënë në zjarr njërën dhe vandalizuar tjetrën. Një polic shqiptar u vra.

Veprime të shpejta diplomatike, e sollën këtë zonë nën kontroll sërish, por ka tre muaj që kur popullsia lokale ka zgjedhur një formë tjetër të protestës.

Dhjetëra barriera janë ngritur, shumica e të cilave qëndrojnë në urën e Mitrovicës, e cila ndan veriun me serbë nga jugu me shqiptarë.

“Jam i gatshëm të vdes për këtë çështje,” ishin fjalët e një babai serb të tre fëmijëve, Brajan Vukqeviq, që po qëndronte afër barrikadave. “Nuk dua ta di nëse është dimër apo verë. Kemi zjarrin të na mbajë të ngrohtë dhe kemi zemrën për Serbinë, dhe e tëra që ne po bëjmë këtu është mbrojtja e shtetit të Serbisë,” ka thënë ai.

“Çdo njeri në këtë botë, ka të drejtë të jetojë i lirë dhe ka të drejtë për paqe,” ka thënë Ljubisa Petroviq, 51 vjeçare. “Unë jam në gjendje të vdes për fëmijët e mi. Dua që ata të jetojnë në liri. Duke pasur parasysh se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë 13 viteve të fundit, ne kemi vendosur të jetojnë në atdheun tonë. Ne nuk duam të jetojmë në një vend që është ndërtuar në fatkeqësinë e të tjerëve. Ne duam të jemi bashkë me Serbinë siç kemi qenë deri tani.”

Megjithatë, trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë thonë se gjendja është e qëndrueshme.

Prezenca e barrikadave nëpër rrugët kryesore të këtij rajoni, thonë ata, pengon qasjen e veturave të emergjencës dhe transportimin e mallrave.

Javën e kaluar 40 civilë u raportuan të lënduar në një përleshje të dhunshme mes protestuesve serbe dhe trupave të NATO-s, derisa këta të fundit po mundoheshin të largonin barrikadat në Jagnjicë, jashtë Mitrovicës.

Deklarata patriotike shihen në pothuajse çdo rrugë të Mitrovicës. Në fasadën e një dyqani afër barrikadës të urës, emblema e shqiponjës së Serbisë, është e vendosur nëpër mur.

Përmbi të është silueta e një turme me krahë të hapura.

Por, nuk janë vetëm serbët të shqetësuar. Popullsia lokale shqiptare që jeton si pakicë ne veri, flasin për frikën e tyre.

Një shqiptar që ka folur të dielën në kushte anonimiteti, ka shpjeguar se ai e largon tabelën e regjistrimit kosovar nga vetura e tij kur udhëton për në veri, në mënyrë që të parandalojë ndonjë sulm.

Isak Beka, një 40 vjeçar nga Kosova, i cili punon në anën jugore të Mitrovicës, por që jeton në veri, thotë se liria e tij është gjithashtu e kufizuar. “Shqiptarët nuk priten mirë veri. Nuk mund të ngasim veturat të lirë. Nuk mund të shkojmë as nëpër kafene,” thotë ai.

Megjithatë, ndoshta gjenerata e re është ajo e cila mund të shërojë zënkat shumëvjeçare.

Brenda tendave të protestuesve, vizatimet e fëmijëve varen nëpër mure.

Tri fytyra të nacionaliteteve të ndryshme buzëqeshin nga fleta. Poshtë tyre, një zinxhir i figurave që mbajnë duart e njëra tjetrës, rrethon një imazh të vizatuar të globit. (e.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG