Ndërlidhjet

Moszbatimi i rregullave juridike, mungesa e reformave në servisin difuziv publik dhe në Këshillin për radiodifuzion, paqartësitë rreth definimit të pronësisë së mediave mbi bazë juridike, si dhe mungesa e unitetit mes gazetarëve janë çështje që kërcënojnë në masë të madhe lirinë e shprehjes, konstatojnë gazetarët dhe publicistët në Maqedoni.

"Është koha që pronarët e mediave dhe gazetarët të kuptojnë se i shërbejnë opinionit, e jo politikanëve dhe interesave të biznesit”, porosit autoritetet qeveritare, si dhe gazetarët përfaqësuesja e OSBE-së e angazhuar për lirinë e të shprehurit, gjatë qëndrimit disa ditësh në Shkup, Dunja Mijatoviq.

Sipas Mijatoviqit, është e papranueshme për një shoqëri demokratike, siç është rasti në Maqedoni, të ketë 165 raste të shpifjes kundër gazetarëve.

Ndërkohë, Zdravko Savevski thekson se liria e shprehjes flet qartë për nivelin e demokracisë në Maqedoni.

Shqetësues është fakti se Maqedonia hyn në një fazë ku liria e të shprehurit gjendet nën pranga. Nuk e mbaj mend që në të kaluarën e afërt të ketë ekzistuar një periudhë e caktuar siç është kjo tani, në të cilën ka mbisunduar aq shumë frika, jo vetëm te gazetarët, por edhe tek intelektualët për të shprehur lirshëm mendimin e tyre. Kjo ngase është imponuar ideja e ekzistimit të një armiku të brendshëm imagjinar të Maqedonisë”, thotë Savevski.

Nga ana tjetër, Ibrahim Mehmeti, publicist, vlerëson se liria e shtypit në Maqedoni vazhdon të cungohet nga ana e Qeverisë, me forma të ndryshme të presionit veçanërisht me kontrollin e hapësirës së reklamave.

“Si faktor shumë i rëndësishëm në sjelljen e mediave dhe pronarëve të mediave është mënyra e shpërndarjes së reklamave të Qeverisë. Këtu duhet të krijohen kushte për një transparencë më të madhe me qëllim që të eliminohen të gjitha mundësitë për shpërndarjen e mjeteve të reklamave të Qeverisë, me qëllim të kontrollit të mediave, ose sjelljes së mediave që të jenë më të afërta me politikat shtetërore, duke anashkaluar kodin profesional për të qenë të pavarura”, thekson Mehmeti.

Ai shton se mbyllja për informacion e institucioneve shtetërore në Maqedoni, gjithashtu e lëndon këtë liri, pa të cilën nuk mund të mendohet jeta publike.

Duke u nisur nga presioni ekonomik dhe politik ndaj gazetarëve, kuptohet kjo duhet të shkojë me formimin e një trupi vetërregullues, që do të krijojë një bindje se mediat janë serioze në ndërtimin e standardeve profesionale, të cilat do të krijojnë një besim më të madh në opinion dhe do të dëshmojnë se janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që e kanë”, shton Mehmeti.

Shqetësime për gjendjen e lirisë së mediave në Maqedoni shpreh edhe Brukseli zyrtar. Ambasadori slloven në Maqedoni, Alen Brajan Bergant, thotë se Bashkimi Evropian do t`i ofrojë ndihmë të pakursyer Maqedonisë në këtë drejtim.

Para disa vjetësh, liria e të shprehurit nuk ishte problematike siç është tani,. Ajo që mund të bëjmë është ta vëzhgojmë situatën dhe të ofrojmë ndihmë në këmbimin e përvojave. Megjithatë, çelësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje është në duart e politikanëve që të heqin dorë nga trysnia, si dhe vetë gazetarë të angazhohen për profesionalizëm”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Alen Brajan Bergant.

Ndryshe, edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian (KE), problemi me lirinë e mediave u paraqit si çështje e re për këtë vit, ku thuhet se po rritet presioni ndaj fjalës së lirë në Maqedoni.

Në këtë raport theksohet se shqetësim serioz janë kërcënimet, presioni politik, gjobat e mëdha dhe frikësimi i gazetarëve, ndërsa licencimi i mediave fuqimisht influencohet nga interesat politike dhe ekonomike.
XS
SM
MD
LG