Ndërlidhjet

Shuma e projekteve kapitale, “e fryrë”


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Nga projekt-buxheti për vitin e ardhshëm, përkatësisht nga 1 miliard e 520 milionë euro, parashihet që 616 milionë euro të shpenzohen për projekte kapitale, ose rreth 40 për qind e buxhetit në tërësi.

Sipas autoriteteve qeveritare, ky nivel i shpenzimeve dëshmon përkushtimin e ekzekutivit në vazhdimin e projekteve të rëndësishme kapitale, që luajnë rol në krijimin e parakushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Megjithatë, Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, thotë se pjesa më e madhe e investimeve kapitale do të shpenzohet për autostradën Morinë-Merdarë.

“Kjo ngritje e theksuar në këtë kategori të shpenzimeve reflekton kryesisht vazhdimin e projektit të autostradës, që përfshin shumën prej rreth 296 milionë eurosh apo rreth 50 për qind të kësaj kategorie të buxhetit. Në këtë vlerë përfshihet edhe shpronësimi i autostradës”, thekson Shahini.

Ndërkaq, shuma e mbetur, prej 320 milionë eurosh, thuhet se dedikohet për zbatimin e projekteve të tjera kapitale. Sipas Shahinit, kjo vlerë do të shpenzohet për rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja, ndërtimin e shkollave, përmirësimin e kushteve shëndetësore, si dhe në sektorë të tjerë.

Por, njohës të çështjeve ekonomike thonë se vlera e mjeteve për projektet kapitale në projekt-buxhetin e vitit 2012 është fryrë.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se disa projekte kapitale, të planifikuara për këtë vit, do të barten në vitin e ardhshëm. Rrjedhimisht, sipas tij, së bashku me projektet do të barten edhe fondet.

“Nëse bazohemi në buxhetin e vitit 2011, ku Ministria e Financave ka bërë publikimin e raporteve buxhetore deri në fund të shtatorit, duket se për kategorinë e investimeve kapitale vetëm 55 për qind e mjeteve janë shpenzuar në këtë nëntëmujor”.

“Pra, deri në fund të vitit kjo shifër mund të arrijë në 70 për qind, kurse 30 për qind e mjeteve të shpenzimeve kapitale do të transferohen në vitin tjetër. Andaj, kemi një shifër të fryrë për buxhetin e vitit 2012”,
thotë Demi.

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, konsideron se ekzekutivi i vendit, viteve të fundit, është fokusuar vetëm në ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë.

Ai thotë se, në bazë të gjendjes aktuale në Kosovë, autoritetet përgjegjëse është dashur të përkushtohen në realizimin e projekteve të tjera kapitale, të cilat mund të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
Kosova ka nevojë për investime të mëdha, e që realisht qeveria nuk i ka as në vitin 2012 dhe nuk do t’i ketë as në dy vjetët e ardhshëm.

“Nuk është këtu vetëm infrastruktura rrugore, por është edhe furnizimi me energji elektrike, me ujë... aftësimi i hekurudhës, shëndetësia, arsimi, furnizimi me barna”.

“Kosova ka nevojë për investime të mëdha, e që realisht qeveria nuk i ka as në vitin 2012 dhe nuk do t’i ketë as në dy vjetët e ardhshëm”,
thotë Rexhepi.

Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit për vitin 2012, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se ky dokument ruan nivelin e lartë të shpenzimeve kapitale, me pjesëmarrje prej 40.5 për qind në buxhetin e tërësishëm, çfarë, sipas tij, bën që Kosova të ketë nivelin më të lartë të pjesëmarrjes krahasuar me shtetet e rajonit.

Po ashtu, ministri Hamza ka thënë se shpenzimet kapitale për vitin 2012 janë për 15 për qind më të larta, krahasuar me 2011-ën, kur shpenzimet kapitale kanë qenë 572 milionë euro, nga 1 miliard e 400 mijë euro të buxhetit të tërësishëm të këtij viti.
XS
SM
MD
LG