Ndërlidhjet

logo-print

SHBA ndalon fondet për UNESCO-n

  • RFE /RL

Në takimin në Paris, UNESCO i pranoi palestinezët në përbërje të vet me shumicë votash.

Në takimin në Paris, UNESCO i pranoi palestinezët në përbërje të vet me shumicë votash.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të ndalojnë menjëherë financimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, e njohur si UNESCO, pasi ajo e pranoi Palestinën si shtet anëtar.

Disa orë pasi UNESCO-ja, në takimin në Paris, i pranoi palestinezët në përbërje të vet me shumicë votash, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të paguajnë në fondin e kësaj agjencie të OKB-së.

“Anëtarësimi i palestinezëve si shtet në UNESCO shkakton kufizime legjislative afatgjate, që i detyron Shtetet e Bashkuara të përmbahen nga dhënia e kontributeve për UNESCO-n”, tha Nuland.

Kontributi vjetor i Shteteve të Bashkuara prej afro 70 milionë dollarësh paraqet gati një të katërtën e buxhetit të përgjithshëm të UNESCO-s.

Zëdhënësja Nuland tha se pagesa prej 60 milionë dollarësh, që parashihej të bëhej në nëntor, tani do të anulohet.

Agjencia për zhvillim global, UNESCO, e lehtëson bashkëpunimin ndërkombëtar në fushat e trashëgimisë kulturore, të shkencës dhe të arsimit.

Misionet e saj nisin me luftimin e analfabetizmit dhe promovimin e barazisë gjinore e deri te mbajtja e listës së Kombeve të Bashkuara me vendet e trashëgimisë botërore.

Në mbledhjen e mbajtur në Paris, UNESCO-ja e pranoi Palestinën me 107 vota për, 14 kundër, ndërsa 52 vende abstenuan nga votimi.

Katalina Bogiaj, presidente e Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, që ishte e 36-ta me radhë, i shpalli rezultatet e votimit.

Katalina Bogiaj

Katalina Bogiaj

“Zonja dhe zotërinj, Konferenca e Përgjithshme ka votuar për pranimin e propozim-rezolutës dhe ka vendosur ta pranojë Palestinën si anëtare të UNESCO-s”, tha Bogiaj.

Izraeli, Gjermania, Holanda, Suedia ishin vendet që iu bashkuan Shteteve të Bashkuara dhe votuan kundër anëtarësisë palestineze.

Zëdhënësja Nuland tha se votimi është për “keqardhje dhe i parakohshëm” dhe se nuk u ndihmon përpjekjeve për paqe në Lindjen e Mesme.

“Njëqindeshtatë vende e kanë marrë vendimin e tyre në këtë votim. Ne nuk pajtohemi me këtë votë dhe nuk pajtohemi me implikimet. Jemi të shqetësuar për këto implikime, jo vetëm për ambientin në të cilin ne po përpiqemi t’i kthejmë palët në tavolinë, por edhe për implikimet për UNESCO-n, që është një organizatë që ne e mbështesim”, tha Nuland.


Edhe Izraeli ndërpret financimin

Pagesat për këtë organizatë do t’i ndërpresë edhe Izraeli.

Ambasadori izraelit në UNESCO, Nimrod Barkan, tha se votimi ishte “tragjedi”.

“UNESCO-ja merret me shkencë, jo me fiksione shkencore. Megjithatë, një numër i madh i shteteve, në mënyrë emfatike, miratoi versionin e fiksionit shkencor të realitetit, duke pranuar një shtet joekzistent në organizatën e shkencës”, tha Barkan.

Ministria e Jashtme e Izraelit vlerësoi se pranimi është “baraspeshë me refuzimin e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për avancimin e procesit paqësor”.

Në frymë diametralisht të kundërt, zyrtarët palestinezë e mirëpritën votimin. Lideri Mahmud Abas tha se “pranimi i Palestinës në UNESCO është fitore për të drejtat tona, për drejtësi dhe liri”.

Zëdhënësi i Autoritetit Palestinez, Gasan Katib, e ndërlidhi pranimin me synime edhe më të mëdha.

“Mendoj se suksesi i palestinezëve për të arritur anëtarësim në UNESCO, është i rëndësishëm në kuptimin e përpjekjeve palestineze për njohjen e Palestinës si shtet. Është pjesë e përpjekjeve palestineze kah arritja e njohjes ndërkombëtare”, tha Katib.

Në muajin shtator, lideri palestinez, Mahmud Abas, ka kërkuar pranim të plotë shtetëror në Kombet e Bashkuara. Kjo kërkesë pritet të debatohet në Këshillin e Sigurimit më 11 nëntor.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se do të paraqesin veto në këtë kërkesë, duke thënë se paqja mund të arrihet vetëm me negociata ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Në vitet e 80-ta, nën ish-presidentin Ronald Regan, Shtetet e Bashkuara e kishin bojkotuar UNESCO-n, por ishin kthyer në vitin 2003, nën ish-presidentin Xhorxh Bush. (f.b.)
XS
SM
MD
LG