Ndërlidhjet

Të barrikaduar prej shumë javësh, serbët në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë besojnë se me bllokimin e rrugëve po e mbrojnë jo vetëm veriun e Kosovës, por edhe shtetin e Serbisë.

‘Armiq’ për ta janë institucionet e Kosovës. Përmes barrikadave tentojnë që të pengojnë njëherë e përgjithmonë vendosjen e doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak.

Një nga qytetarët serbë që bën roje me ndërrime në tendën e vendosur afër urës mbi lumin Ibër, Zoran Perunoviq, thotë se serbët nga veriu i Kosovës nuk duan kurrfarë kufiri me shtetin e Serbisë.

“E gjithë Serbia duhet të vijë këtu dhe me mosdëgjueshmërinë qytetare t'i kundërvihet gjithë asaj që po i zihet Serbisë. Këtu nuk janë problem serbët e veriut të Kosovës. Këtu po zgjidhet çështja serbe. Mbase do të ngjallet në popullin serb ndjenja se kjo është tokë serbe, se i takon atij dhe se nuk guxojmë të heqim dorë nga lufta për asnjë çast. Kjo, megjithatë, është Kosova, toka e shenjtë serbe”, thotë Perunoviq, i cili ruan në njërën nga 16 barrikadat që serbët kanë vendosur në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinë dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës ndërmori një aksion më 25 korrik për të kthyer kontrollin në këto dy pika, pas më shumë se tre vjetësh që kur serbët, në shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë, dogjën pikat kufitare në veri dhe pamundësuan qëndrimin e doganierëve kosovarë atje.

Serbët vendosën barrikadat pas 25 korrikut për t’i përforcuar ato pas 16 shtatorit, kur aksioni i qeverisë për futjen në kontroll të dy pikave kufitare u mbështet edhe nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë.

Një i ri nga Mitrovica, Marko Jakshiq, thotë se serbët janë të vendosur dhe se nuk ndjejnë frikë nga askush.

“Në mesin e serbëve në barrikada nuk ka frikë dhe kjo shihet edhe nga fytyrat e atyre që janë atje. Motivi për të qenë të pranishëm këtu, është më i madh se çfarëdo frike. Duket qartë se njerëzit janë të gatshëm të qëndrojnë deri në fund, pa marrë parasysh të ftohtit dhe dimrin. Në fund të fundit, dimër ka edhe për KFOR-in dhe EULEX-in; pra, jemi në situatë të njëjtë”, thotë Jakshiq.




Adis Alajov është një qytetar nga Beogradi, me prejardhje nga Etiopia. Ai thotë se me ardhjen në Mitrovicë dëshiron që të ofrojë mbështetje absolute për serbët në, siç shprehet, luftën e tyre demokratike që institucionet e Prishtinës të mos mund të vendosen në këtë pjesë të Kosovës.

“Nuk e di se sa janë të vetëdijshëm njerëzit këtu, por në Beograd mbretëron një lloj bllokade mediatike, e cila nuk u lejon qytetarëve që të njihen me situatën në veri të Kosovës. Unë jam këtu që të jem pranë popullit, i cili këtu po e mbron Serbinë, pa marrë parasysh se sa patetike mund të tingëllojë kjo”, thotë Alajov.

Përfaqësuesi i serbëve në Mitrovicën veriore, Kërstimir Pantiq, thekson se barrikadat në veri do të qëndrojnë derisa situata në këtë pjesë në Kosovës të mos kthehet siç ka qenë para 25 korrikut. Kjo nënkupton që në Jarinë dhe Bërnjak të mos ketë pjesëtarë të policisë dhe doganave kosovare.

“Serbët këtu janë të vetëdijshëm se KFOR-i, në çdo moment, mund të nisë aksionin për heqjen e barrikadave me dhunë dhe se në atë rast mund të përdorë forcën dhe armë zjarri, siç kanë bërë në Jarinë. Por, fakt se serbët nuk iu frikësohen aksioneve të mundshme është edhe ngjarja e para disa ditëve, kur KFOR-i u përpoq që të heqë barrikadën në Dudin Kërsh, në komunën e Zveçanit, ku për më pak se 15 minuta janë mbledhur rreth 1,500 serbë, që me trupat e tyre mbrojtën atë barrikadë. Me këtë u shtynë ushtarët e KFOR-it që të tërhiqen në bazën e tyre në Novosellë, në komunën e Vushtrrisë”, thotë Pantiq, për të shtuar se serbët nuk i frikësohen kurrfarë kërcënimi.

Përfaqësuesit e katër komunave serbe kanë miratuar planin, sipas të cilit, të gjitha rrugët që çojnë në veri të Kosovës do të lirohen për furnizimin e pjesëtarëve të KFOR-it me ushqim dhe lëndë djegëse, por jo edhe për pjesëtarët e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Ata kanë thënë se ky mision duhet të jetë neutral karshi statusit dhe nuk duhet të ofrojë mbështetje logjistike dhe të transportojë doganierët kosovarë dhe përfaqësuesit tjerë të institucioneve të Kosovës.

Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se korsitë e hapura në Mitrovicë dhe Leposaviq, të cilat çojnë drejt vendkalimeve kufitare, nuk janë hapur sa duhet për kalimin e automjeteve të rënda.

"Kjo do të thotë se KFOR-i nuk do të mund t'i furnizojë apo bartë trupat në ato pjesë. Kjo është në kundërshtim me njoftimin e përfaqësuesve të katër komunave, të cilët thonë se kanë mundësuar lirinë e lëvizjes së plotë, që nga e mërkura e kaluar. Ne kemi nevojë për liri të pakushtëzuar të lëvizjes për të gjithë", ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it, Frank Martin.

Institucionet e Kosovës u kanë kërkuar autoriteteve ndërkombëtare, KFOR-it dhe EULEX-it, që t’i përshpejtojnë aktivitetet e tyre në heqjen e barrikadave në veri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG