Ndërlidhjet

Evropa të marrë kryesimin e NATO-s


Flamujt e vendeve anëtare të NATO-s.

Flamujt e vendeve anëtare të NATO-s.

“Daily Telegraph”

Aleanca veri-atlantike duket të jetë dobësuar nga ndryshimet në politikën e jashtme amerikane. Tani, Amerika sheh te NATO-ja aleatë me mundësi të zvogëluara, gatishmëri për t’i vënë trupat në rrugë të rrezikshme dhe një institucion të papërshtatshëm për t’i adresuar interesat e SHBA-së.

Për të parë se ku çon një gjë e tillë, duhet pasur parasysh atë çfarë ka ndodhur në Libi.

Pas sulmeve të para ajrore, SHBA ka luajtur një rol të rëndësishëm, por mbështetës, duke inkurajuar Britaninë dhe Francën t’i udhëheqin operacionet. Si rezultat, misioni është realizuar me më pak armë, me më pak se një të katërtën e avionëve të përdorur në Kosovë dhe me municione me rrezikshmëri të ulët.

Andaj, çfarë mund të bëhet? Si mund të sigurohen amerikanët se evropianët janë të angazhuar për një aleancë transatlantike? Si mund të dëshmohen aftësi më të mëdha kur financat janë të shtrënguara? Dhe, si mund të kujdesen evropianët për sigurinë e tyre nëse Shtetet e Bashkuara refuzojnë të udhëheqin?

Disa thonë se përgjigjja është një ushtri evropiane. Por, kjo është një ëndërr për mendimtarët dembelë: ajo do të kërkonte buxhet të përbashkët, pajisje të përbashkëta dhe komandë të njësuar – ndërsa asnjëra nga këto nuk duket e disponueshme.

Por, edhe status quo-ja është e pakëndshme. Andaj, përgjigjja i takon Britanisë dhe Francës – ato duhet të udhëheqin.

Si pikënisje do të ishin traktatet dypalëshe të mbrojtjes, të cilat kanë potencial për të ofruar kursime të vërteta, përmes prokurimit të përbashkët, trajnimit dhe doktrinës së përbashkët ushtarake.

Mirëpo, pa vullnet për zhvillimin e një vizioni më të gjerë, këto rrezikojnë të shndërrohen në vrima të zakonshme të zeza për qëllime të mira.

Mangësia e parë e aksit aktual të mbrojtjes ndërmjet Londrës dhe Parisit është supozimi se bashkëpunimi i vërtetë mund të arrihet nëse gjeneralët dakordohen se si të bashkëpunojnë në fushat e betejës.

Veprimet e tilla janë të arsyeshme, por ato nuk janë të mëdha, të reja apo origjinale. Bashkëpunimi mes trupave është i drejtë, por ai nuk do të çonte drejt lidhjeve më të thella dhe kursimeve të nevojshme. Bashkëpunimi i duhur në mbrojtje nuk duhet nxitur nga gjeneralët në krye, por me integrimin e industrive të mbrojtjes.

Problemi i dytë me marrëveshjet aktuale qëndron në atë se Londra dhe Parisi i shohin traktatet ndryshe-ndryshe.

Britania duhet të kuptojë se, në izolim, bashkëpunimi anglo-francez nuk do t’i sigurojë aftësitë e duhura për forcimin e NATO-s, por as kursimet e nevojshme. Nëse të tjerët nuk janë të përfshirë, ai nuk do të jetë në gjendje të ofrojë siguri kolektive, po qe se Shtetet e Bashkuara refuzojnë të udhëheqin.

Andaj, nuk duhet thelluar vetëm bashkëpunimin dypalësh, por duhet shqyrtuar në mënyrë aktive edhe bashkëpunimin me partnerët e tjerë evropianë.

Përderisa udhëheqja anglo-franceze në Libi po merr fund, një udhëheqje anglo-franceze në Evropë duhet të nisë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG