Ndërlidhjet

logo-print

Dënime të ulëta për trafikimin me njerëz


Ilustrim

Ilustrim

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim i Evropës, në Kosovë ka gjetur se trafikimi me qenie njerëzore është një shqetësim shumë i madh në aspektin e të drejtave të njeriut.

Kjo u tha të mërkurën në konferencën e organizuar nga ky mision, në të cilën kanë marrë pjesë për të diskutuar përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare relevante, të cilat merren me çështjen e trafikimit të qenieve njerëzore.

Në këtë konferencë u diskutua për gjetjet e raportit të publikuar në tetor të këtij viti nga seksioni për monitorimin e gjykatave i OSBE-së, si dhe lidhur me definimin dhe ndjekjen e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore.

Harold Dampier, shef i sektorit për monitorim në OSBE, tha se akterët e sistemit gjyqësor nuk e kanë kuptuar si duhet mënyrën se si duhet t’i trajtojnë rastet e trafikimit me qenie njerëzore.

Së pari raporti konstaton se ka një aplikim të padrejtë të ligjit përkitazi me veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore, të cilat monitoruesit e OSBE-së i kanë vërejtur në mënyrë rutinore. Këtu përfshihet edhe ngritja e aktakuzave, në të cilat elementet e trafikimit me qenie njerëzore nuk janë mirë të elaboruara. Çështja e dytë ka të bëjë me mosndjekjen e veprave tjera penale, si shtesë për veprën kryesore, trafikim me qenie njerëzore”, tha Dampier.

Ai shtoi se veprat penale shpeshherë janë konvertuar në vepra penale më të ulëta, gjë që ka rezultuar më pas me dënime më të ulëta për ato vepra.

Por, Dampier theksoi se nuk mund të thuhet se dhënia e dënimeve të ulëta për veprën e trafikimit me qenie njerëzore është fenomen.

Nuk mund ta themi këtë. Por, mund të themi se kemi vërejtur se ekzistojnë disa raste ku dënimet janë dhënë më të ulëta për veprën penale të trafikimit”, theksoi Dampier.

Sevdije Morina, zëvendëskryeprokurore e shtetit, tha se konferenca e së mërkurës nxori në pah disa nga lëshimet në punën e përditshme të sistemit prokurorial, prokurorëve, gjyqtarëve dhe policisë.

Por, ajo tha se nuk mendon se deri më tash janë dhënë dënime të buta për personat që kanë trafikuar qenie njerëzore.
...vështirësitë janë në mbledhjen dhe sigurimin e provave, në zbulimin e tyre.


Nuk mendoj se kanë qenë të buta. Nga përvoja ime, e di se aty ku është arritur që të mblidhen prova dhe të hetohen me sukses, dënimet kanë qenë mjaft të ashpra, por në kuadër të asaj që ne i themi ‘kuadër ligjor’ - minimumit edhe maksimumit. Mirëpo, vështirësitë janë në mbledhjen dhe sigurimin e provave, në zbulimin e tyre. Në rastin e kompletimit të atyre provave, dënimet janë më të ashpra”, u shpreh Morina.

Ndërkaq, Aleksandër Hak, përfaqësuesi i misionit evropian për sundimin ligjit EULEX, tha se dënimet e buta ndaj personave që kryejnë vepër penale të trafikimit nuk janë në funksion të parandalimit të këtij fenomeni.

Zbatimi i ligjit, në këtë rast ligjit penal, duhet të ketë ndikim te kriminelët në mënyrë që të mos vazhdojnë me veprimet kriminale. Është e natyrshme që, nëse ligji nuk zbatohet, atëherë edhe ndikimi i tij nuk ekziston, prandaj, për kriminelët nuk ka pengesa që të vazhdojnë të merren me kriminalitet”, tha Hak.

Rrahim Tërnava nga Zyra e koordinatorit nacional kundër trafikimit të qenieve njerëzore në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thotë se kjo zyrë është e pakënaqur me efektivitetin e gjykatave, si dhe me dënimet, të cilat u shqiptohen personave që janë të përfshirë në trafikim të qenieve njerëzore.

Nuk jemi të kënaqur. Qe tre vjet e kemi analizuar punën e gjykatave. Në planin aksionar, kanë qenë aktivitetet e parapara dhe e kemi parë se nuk i kanë zbatuar në përgjithësi aktivitetet që janë paraparë për sistemin e drejtësisë. Në planin e ri 2011-2014 kemi marrë hapa shumë të rëndësishëm. Jemi fokusuar në atë që sistemi gjyqësor të ketë aktivitete shumë më tepër sesa që ka pasur në të kaluarën, për të arritur qëllimin që të dënohen trafikantët sa më shumë. Nuk jemi të kënaqur me vendimet e gjyqtarëve”, potencoi Tërnava.

Sidoqoftë, raporti i OSBE-së u rekomandon gjykatësve që t'i ndërmarrin të gjitha masat për të elaboruar saktësisht se cilat janë elementet e veprës penale të trafikimit.

Rekomandimet për prokurorët adresohen në kontekst të asaj se ata duhet t’i lidhin të gjitha provat faktike me elementet e veprës penale të trafikimit.

Ndërkaq, institutit gjyqësor të Kosovës, i cili është i mandatuar për të ofruar trajnime për gjykatës dhe prokurorë, i rekomandohet që t'i vazhdojë trajnimet përkitazi me veprën penale të trafikimit, për gjykatës dhe prokurorë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG