Ndërlidhjet

Çmimi i të qenët vatër krize


Barrikadat në Leposaviq, shtator.

Barrikadat në Leposaviq, shtator.

Situata e pandryshuar në veri, dymbëdhjetë vjet pas konfliktit me Serbinë dhe tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, sipas analistëve vendës dhe ndërkombëtarë, po i kushton Kosovës shumë.

Lajmet që vijnë nga veriu, nuk kanë ndryshuar nga viti në vit: bllokada rrugore, protesta të dhunshme, vrasje, plagosje. Sipas, drejtorit të Institutit KIPRED, Krenar Gashi, imazhi i Kosovës për shkak të veriut po përkeqësohet vazhdimisht.

Situata e krijuar në veri dhe qëndrueshmëria e kësaj krize po i kushton shumë Kosovës, për arsye se po kthehemi në ballinat e gazetave dhe në faqet e lajmeve të opinionit publik dhe në të gjithë botën si një vend ku nuk ka stabilitet, si një vend i trazirave dhe si një vend ku pavarësisht investimeve 10-vjeçare të bashkësisë ndërkombëtare ende ka trazira dhe ende nuk ka perspektivë”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Analistja Verena Knaus, që është njohëse e mirë e çështjes së veriut, thotë se Kosova po paguan çmimin e mosveprimit në veri për më shumë se një dekadë.

Atje problemi nuk ka të bëjë me çështje ndëretnike, por është një kombinim i interesit ekonomik dhe përfshirjes së politikës.

Atje ka deficit demokratik, deficit të sundimit të ligjit - ky është çmimi që po paguajmë për shkak se u frikësuam të veprojmë qe 11 vjet, duke mos identifikuar se ku gjendet problemi. Atje problemi nuk ka të bëjë me çështje ndëretnike, por është një kombinim i interesit ekonomik dhe përfshirjes së politikës. Duhet të dallojmë se kush çka po rrezikon dhe atëherë mund tëagjejmë përgjigjen e duhur”, vlerëson Knaus.

Ekonomia e Kosovës, po ashtu, thuhet se ka pësuar për shkak të veriut. Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë dhe me shkallën më të lartë të papunësisë. Analisti Gashi, thotë se çdo investitor potencial do të kishte mëdyshje për të investuar në Kosovë.

“Asnjë investitor privat nuk do të investojë në një vend ku nuk ka stabilitet politik dhe ku nuk ka stabilitet të sigurisë. Arsyet që zakonisht jepen nga këta investitorë janë korrupsioni dhe sundimi i ligjit, që në fakt janë arsye legjitime për të mos investuar. Mirëpo, më së shumti dhe si arsye e parë është situata e paqëndrueshme e sigurisë, gjegjësisht gjithë kjo tollovi që është duke ndodhur në veri të vendit”, thekson Gashi.

Komunat veriore të banuara me shumicë serbe nuk iu kanë bindur asnjëherë Prishtinës zyrtare, por as mekanizmave aktualë ndërkombëtare.

Strukturat paralele të financuara nga Qeveria e Serbisë nuk njohin shtetin e ri të Kosovës, ndërsa, për të penguar shtrirjen e Prishtinës në veri, tashmë disa javë kanë vendosur bllokada gjithandej duke pamundësuar kështu edhe lirinë e lëvizjes për autoritetet ndërkombëtare, si KFOR-i dhe EULEX-i.

Analisti Gashi thotë se për epitetin e vatrës së krizës, që ka marrë veriu tash sa kohë, duhet fajësuar në radhë të parë komunitetin ndërkombëtar.

Krenar Gashi

Krenar Gashi


“Përgjegjësia kryesore për situatën e krijuar në veri dhe për situatën e mbajtur kështu pezull, si dhe një konflikt të ngrirë në veri i takon bashkësisë ndërkombëtare, gjegjësisht institucioneve ndërkombëtare të pranishme në Kosovë”.

“Para shpalljes së pavarësisë kanë qenë këto institucione përgjegjëse për situatën në veri, ndërsa pas pavarësisë të njëjtat institucione kanë bërë trysni të madhe në Qeverinë e Kosovës që të mos bëhet asgjë për veriun dhe kësisoj e kemi sot veriun një problem permanent dhe një problem që po na sjell shumë telashe”, shprehet Gashi.

Ndërkaq,Knaus thotë se aktualisht një grusht njerëzish po i dikton ngjarjet që kanë të bëjnë me veriun.

“Ajo që po shohim sot është rezultat i politikës më se 10-vjeçare të status quo-s. Status quo-ja është instaluar më 1999, ka vazhduar me UNMIK-un, ka vazhduar edhe pas pavarësisë dhe zbarkimit të EULEX-it. Problemi është se ne kemi krijuar një hapësirë për një grup të vogël të njerëzve në Mitrovicë që t’i diktojnë kushtet e çfarëdo lloj marrëveshjeje”.

Ky grup i vogël është kombinim i njerëzve që kanë interes ekonomik, aty ka kriminelë, politikanë dhe njerëz që, sipas pikëpamjes sime, janë financuar direkt nga Beogradi dhe kjo nuk përbën shumicën e popullatës”, potencon Knaus.

Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova hartimin e një agjende gjithëpërfshirëse për veriun. Por, institucionet e Kosovës, tashmë kanë deklaruar se si të vetme nuk mund të veprojnë në veri, për shkak të tensioneve gjithnjë e në rritje.

Në anën tjetër, serbët vendosën barrikada pas aksionit të 25 korrikut të Qeverisë për të shtrirë kontrollin në veri, për t’i përforcuar ato pas 16 shtatorit, kur veprimet e Prishtinës u mbështetën edhe nga autoritetet ndërkombëtare.

Një zgjidhje për veriun e Mitrovicës, që është e pranueshme për Prishtinën, gjendet në pakon e presidentit Marti Ahtisarit, në bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës. Por, kjo pako vazhdon të mbetet e papranueshme nga serbët në veri të lumit Ibër, edhe pse plani ofron privilegje të mëdha për komunën e re të Mitrovicës Veriore, të banuar me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG