Ndërlidhjet

NATO rikërkon zgjidhje paqësore


Anders Fog Rasmusen
Anders Fog Rasmusen
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, u ka bërë thirrje qytetarëve lokalë në veri të Kosovës që të bashkëpunojnë me forcën paqeruajtëse të Aleancës Veri-atlantike – KFOR – në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e negociuar për problemet atje.

Rasmusen i ka bërë këto komente duke folur në një konferencë për shtyp në Bruksel, pas kthimit nga vizita e parë e tij në Libi.

I pyetur për situatën në veri të Kosovës, Rasmusen ka thënë:

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e qetë, por e tensionuar. Unë shpreh keqardhje për një situatë të tillë”.

Sipas tij, komandantët e KFOR-it në terren po orvaten të gjejnë zgjidhje paqësore për problemin. Ai ka thënë se është në mandatin e KFOR-it që të sigurojë lirinë e lëvizjes, jo vetëm për ushtarët e misionit, por edhe për qytetarët e Kosovës.

“Komandantët po orvaten të gjejnë zgjidhje të negociuar. Ne kemi besim të plotë në shkathtësitë e tyre. U bëj thirrje qytetarëve lokalë në veri që të bashkëpunojnë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje paqësore”, ka porositur shefi i NATO-s.

Ndërkohë, diplomatë të NATO-s në Bruksel kanë thënë se me vazhdimin e situatës në veri të Kosovës, ka filluar të rritet edhe frustrimi në bashkësinë ndërkombëtare.

Andaj, ata i kanë ftuar të gjitha palët e kyçura në këtë problem që të jenë konstruktive.

Disa diplomatë të NATO-s kanë përkujtuar se, ndonëse KFOR-i ka në mandat sigurimin e lirisë së lëvizjes dhe krijimin e një ambienti të sigurt, janë edhe faktorët tjerë politikë dhe të sigurisë në Kosovë dhe rrethinë që duhet të ndikojnë.

Ata po ashtu kanë thënë se nuk duhet nënvlerësuar edhe aspektin politik të këtij problemi, andaj kanë ftuar zyrtarët që të përmbahen nga deklaratat nxitëse dhe të kontribuojnë më shumë në uljen e tensioneve.
XS
SM
MD
LG