Ndërlidhjet

Kriza greke - hije mbi G 20-ën


Nikolas Sarkozi dhe Barak Obama në samitin dyditor për krizën e borxheve në Evropë. Ngjarja zhvillohet në Kanë të Francës.
Nikolas Sarkozi dhe Barak Obama në samitin dyditor për krizën e borxheve në Evropë. Ngjarja zhvillohet në Kanë të Francës.
Liderët evropianë, të cilët po qëndrojnë në jug të Francës për të marrë pjesë në samitin e G 20-ës, janë duke u përgatitur për mundësinë e braktisjes së Eurozonës nga Greqia.

Presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, i thanë kryeministrit të Greqisë George Papandreu, në një takim të tensionuar në Kanë të mërkurën, se Greqia nuk do të marrë asnjë ndihmë shtesë financiare derisa nuk voton pro përmbushjes së obligimeve të Eurozonës.

Brenda këtij muaji, Greqia pritet të marrë një ndihmë prej 8 miliardë eurosh.

Mirëpo, parakusht për këtë ndihmë, në kuadër të një plani të negociuar detajisht në mesin e shteteve anëtare të BE-së me të cilin parashihet shlyerja e gjysmës së borxheve të Athinës zyrtare, është dhe ndërmarrja e hapave të nevojshëm rreth përmirësimit të deficitit buxhetor të Greqisë.

Për të bërë këtë, qeveria në Athinë duhet të rrisë taksat dhe të zbatojë masa të shtrënguara financiare, kushte këto që janë të papëlqyera në opinionin publik të shtetit.

Sarkozi tha se as evropianët e as Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk kanë llogari t’i japin ndihmën e gjashtë Greqisë, përderisa Athina nuk e miraton në tërësi paketën e reformave të nevojshme, të parapara me planin e shpëtimit të 27 tetorit.

Është tërësisht e qartë se pyetja që shtrohet ka të bëjë me të ardhmen e Greqisë në Evropë. A dëshiron Greqia të mbetet në Eurozonë apo jo? Ne shpresojmë se po, sinqerisht shpresojmë se po dhe do të bëjmë çmos për ta bërë të mundur këtë”, tha ai.

Merkel tha në një konferencë për media të mbajtur rreth mesnatës se ajo do të preferonte ta stabilizonte euron bashkë me Greqinë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi


Megjithatë, ajo theksoi se prioritet kryesor është shpëtimi i euros dhe jo i Greqisë.

Kësti i gjashtë mund të paguhet vetëm atëherë kur Greqia t’i ketë pranuar të gjitha pjesët e vendimit të arritur më 27 tetor dhe kur të jenë larguar të gjitha dyshimet mbi këtë gjë përmes referendumit të paralajmëruar nga Greqia, pra, kur referendumi të rezultojë me një vlerësim pozitiv mbi euron”, theksoi ajo.

Kryeministri i Luksemburgut, Xhon Klodë Jynker, udhëheqësi i ministrave të financave në Eurozonë, tha se politikë-bërësit janë duke punuar rreth skenarëve të mundshëm për daljen e Greqisë nga Eurozona.

Jynker tha se përpjekjet janë duke u përqendruar në moskrijimin e ndonjë katastrofe për shtetet e tjera të Eurozonës.

Ministri francez për Evropën, Xhon Leoneti, tha hapur në një intervistë për radio RTL se Eurozona mund të shpëtojë edhe pa Greqinë.

Zhvillimet e fundit mbi krizën e borxheve të Greqisë, përfshirë ndikimin e saj në sistemin bankar dhe atë të borxheve të huaja në Eurozonë, po qëndrojnë mbi takimin dyditor të liderëve të G 20-ës që nis të enjten në Kanë.

Samiti ishte planifikuar të përqendrohej në propozimin për reforma në sistemin monetar ndërkombëtar dhe në hapat për reduktimin e spekulimeve rreth tregjeve kapitale, siç është ai i Taksës së Transaksioneve Financiare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, arriti gjatë ditës në Kanë për të nisur menjëherë bisedimet me homologun e tij francez, Nikolas Sarkozi.

Presidenti amerikan Barak Obama
Presidenti amerikan Barak Obama

Mendoj se nuk është ndonjë befasi se pjesën më të madhe të bisedës sonë e përqendruam në fuqizimin e rimëkëmbjes ekonomike në botë në mënyrë që të jemi në gjendje të krijojmë vende të reja pune dhe të stabilizojmë tregjet financiare në botë. Aspekti më i rëndësishëm i detyrës sonë në dy ditët e ardhshme do të jetë zgjidhja e krizës financiare këtu në Evropë”, u shpreh Obama.


Ai gjithashtu shfaqi shqetësimin e Uashingtonit rreth vendimit të Greqisë për të mbajtur një referendum mbi paketën ndihmëse prej 130 miliardë eurosh, të cilën është shprehur e gatshme ta vë në dispozicion BE-ja për shpëtimin e këtij vendi.

Këtu në G 20, do të na duhet të hyjmë më në detaje rreth mënyrës së zbatimit të plotë të planit. Ne gjithashtu diskutuam situatën në Greqi dhe se si mund të ndihmojmë në zgjidhjen e saj”, tha ai. (e.p.)

XS
SM
MD
LG