Ndërlidhjet

logo-print

“Shitësi i vdekjes” u shpall fajtor

  • Nik Krastev

 Viktor Bout

Viktor Bout


Viktor Bout, tregtari famëkeq rus i armatimit, është shpallur fajtor nga një gjykatë në Nju Jork, në rastin, i cili tashmë ka shkaktuar tensione me Moskën.

Për një kohë të gjatë Viktor Bout ishte përshkruar nga zyrtarët amerikanë dhe aktivistët, si njëri nga trafikantët më famëkeq të armatimit në botë, duke përdorur shumë emra dhe disa pasaporta, për t’u shërbyer klientëve siç janë talibanët e deri te komandanti luftarak në Liberi, Çarls Tejlor.

Një gjykatë amerikane e ka shpallur fajtor këtë person, i njohur edhe si “shitësi i vdekjes”, lidhur me të gjitha akuzat kundër tij: konspiracion për shitje të raketave te terroristët, konspiracion për ta vrarë personelin ushtarak të Shteteve të Bashkuara, konspiracion për t’i vrarë shtetasit amerikanë dhe konspiracion për ta ndihmuar organizatën terroriste.

Më 8 shkurt, kur pritet të shpallet vendimi për dënimin e tij, ai mund të ballafaqohet me 25 vjet burg, e deri në dënimin me burgim të përjetshëm.

Pas dënimit, Prit Barara, prokurori kryesor për Menhetën në Nju Jork, tha se “siç kanë treguar provat, Viktor Bout ishte i gatshëm të shesë arsenal të armatimit, që i ngacmonte disa nga vendet e vogla” dhe se me “vendimin e shpejtë, drejtësia është në vend dhe njeriu shumë i rrezikshëm do të jetë prapa grilave”.

Albert Dajan, njëri nga avokatët e Viktor Boutit, tha se do të bëhet ankesë për vendimin e gjykatës.

Viktor Bout, 44-vjeçar,ishte kapur në Tajlandë, në vitin 2008, nga agjentët e SHBA-ve.

Viktor Bout, 44-vjeçar,ishte kapur në Tajlandë, në vitin 2008, nga agjentët e SHBA-ve.


“Në përgjithësi, mund të them se ne jemi shumë të pakënaqur me këtë vendim, por kolegji gjyqësor e ka thënë të veten. Ky përfundimisht nuk është përfundim i procesit për ne. Ne synojmë të ankohemi ndaj këtij vendimi dhe ne synojmë të shkojmë deri në Gjykatën e Apelit të Shteteve të Bashkuara”, tha avokati Dajan.

Viktor Bout, 44-vjeçar, ia kishte arritur që për vite t’i shmangej zënies, por megjithatë ishte kapur në Tajlandë, në vitin 2008, gjatë një aksioni të agjentëve të Shteteve të Bashkuara.

Ai ishte ekstraduar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010.

Prokurorët thanë se Viktor Bout ishte pajtuar që agjentët sekretë t’i furnizonte me armatim ushtarak, i cili, siç kishte kuptuar ai, do të shfrytëzohej për të sulmuar pilotët e helikopterëve të Shteteve të Bashkuara dhe shtetasit e tjerë amerikanë në Kolumbi.

Ndihmë të rëndësishme për prokurorët kishte dhënë biznesmeni nga Afrika Jugore, Endrju Smulian, ish-ndihmës i afërt i Boutit, i cili ishte pajtuar të dëshmojë në gjykatë.

Ai tregoi se për pagesën prej 20 milionë dollarësh, Bout ishte pajtuar të aranzhojë aeroplanë transportues, për të hedhur nga ajri 100 tonelata armatim, përfshirë edhe raketa tokë-ajër, në Kolumbi.

Viktor Bout ishte ekstraduar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010.

Viktor Bout ishte ekstraduar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010.

Por, avokati mbrojtës, Dajan, tha se rasti kundër klientit të tij ishte “spekulim i pastër” dhe se Bout kishte premtuar rrejshëm të dërgojë armatim me qëllim që të përpiqej t’i shiste dy prej aeroplanëve të tij të vjetër transportues.

Por, porota mendonte krejtësisht ndryshe, dhe pas gjashtë orëve vendosi që ta shpallë atë fajtor në të gjitha pikat.

Keti Ostin, drejtoreshë ekzekutive e Projektit për Vetëdijesim të Konfliktit, një organizatë joqeveritare me seli në Shtetet e Bashkuara, që fokusohet në trafikim të armatimit dhe përfitues të luftës, e ka ndjekur procesin kundër Boutit për së afërti.

Pas shpalljes së vendimit, ajo tha se rasti duhet të shërbejë si mësim për Kombet e Bashkuara dhe për vendet individuale, se është i nevojshëm forcimi i legjislacionit për trafikim të armatimit.

“Kjo është mbyllje e kapitullit për Viktor Boutin, por për parandalimin e personave të tjerë që të mos e zënë vendin e tij, është me rëndësi që të kemi ligje kombëtare dhe regjim ndërkombëtar të kontrollit të tregtisë së armatimit”, theksoi Ostin.

Grupet e tjera për të drejtat e njeriut, po ashtu, e mirëpritën dënimin e njeriut, për të cilin ato thonë se i ka mundësuar disa nga konfliktet më të përgjakshme në botë.

Por, procesi kundër Boutit ka çuar në tensione ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pretendoi se Shtetet e Bashkuara e kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare duke e ndaluar një shtetas të jashtëm në një vend të tretë dhe se ekstradimi i Boutit nga Tajlanda ishte rezultat i një “presioni politik të paprecedent”, ndaj Qeverisë së Tajlandës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Aleksander Llukasheviq, tha se synohet kthimi i Boutit në Rusi.

“Ministria e Jashtme e Rusisë do të vazhdojë t’i ndërmarrë të gjitha masat për t’i siguruar të drejtat juridike të Viktor Boutit dhe interesat e tij si shtetas rus. Qëllimi ynë është që të kërkojmë kthimin e tij në vendlindjen”, tha Llukasheviq.

Viktor Bout, me gjasë, është shumë më i njohur për publikun në përgjithësi, nëpërmjet filmit me dhunë të Holivudit, nga viti 2005, “Zoti i Luftës”, ku aktori Nikolas Kejgj, e luan karakterin e krijuar nga Viktor Bouti. (f.b.)
XS
SM
MD
LG