Ndërlidhjet

Barrikadat, në status-quo


Një nga barrikadat e serbëve në Zupç, në veri të Kosovës.
Një nga barrikadat e serbëve në Zupç, në veri të Kosovës.
Përpjekja e Prishtinës zyrtare që me kthimin e kontrollit në pikat kufitare në veri ta ndryshojë edhe status quo-në 12 vjeçare në atë pjesë, duket se ka prodhuar një lloj tjetër të status quo-s, atë të barrikadave.

Që nga 25 korrikut, kur Qeveria e Kosovës ndërmori aksionin për dërgimin e doganierëve dhe policëve kufitarë në Jarinë dhe Bërnjak, serbët kanë vendosur barrikada, të cilat i përforcuan pas 16 shtatorit, kur aksionin e Prishtinës e mbështetën edhe autoritetet ndërkombëtare me qëllim të kontrollimit të kufijve.

Eksperti për çështje të sigurisë, Naim Maloku, thotë se grupe të caktuara kriminale në veri, me vendosjen e barrikadave dhe moslargimin e tyre, janë duke tentuar që gjendjen në atë pjesë të vendit ta kthejnë në një status-quo.

Naim Maloku
Naim Maloku

Tani serbët e asaj ane janë duke u munduar ta rikthejnë një status-quo dhe këtë po mundohen ta bëjnë me anë të barrikadave. Nga jashtë duket që veriu po kthehet në një status-quo, por status-quo të barrikadave. Përndryshe pikat 1 dhe 31 kontrollohen prej Qeverisë së Kosovës”, deklaron Maloku.

Kurse, zyrtarët e Policisë së Kosovës, thonë se sa i takon çështjes së barrikadave dhe ekzistimit të tyre, autoritete e rendit, por edhe institucionet e Kosovës, largimin e tyre ua kanë besuar forcave paqeruajtëse të Aleancës Veri-atlantike – KFOR.

Besim Hoti, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, thotë se përderisa janë duke vazhduar kontaktet me qytetarët serbë të veriut të Kosovës për largimin e barrikadave, nuk mund të konsiderohet se kjo çështje mund të shndërrohet në një status-quo.

Besim Hoti
Besim Hoti
Për faktin se kemi vazhdimësi lëvizjeje dhe përpjekje në veçanti duke i dhënë hapësirë mënyrës paqësore për largimin e tyre, nuk mund ta quajmë si një status-quo. Në momentin kur ndërpriten bisedimet ose çfarëdolloj përpjekjeje tjetër për t’i larguar këto pengesa, që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e jetës normale, atëherë mund ta quajmë si të tillë".

"Por, ne vlerësojmë që përpjekjet nuk janë shuar dhe në veçanti, institucionet vendore, përkatësisht ato të sigurisë, në këtë rast Policia e Kosovës, ua ka besuar koordinimin e plotë institucioneve ndërkombëtare të sigurisë, në radhe të parë KFOR-it dhe EULEX-it
”, thotë Hoti.

Moslargimi i barrikadave të vendosura për më shumë se tre muaj, sipas autoriteteve të rendit, është duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, dhe zhvillimin normal të jetës së banorëve në atë pjesë.


Eksperti Maloku thotë se moslargimi i barrikadave në veri është duke u bërë me qëllime të caktuara nga ana e partive politike serbe. Sipas Malokut, zgjidhja e çështjes së barrikadave në veri mund të gjendet në Serbi.

“Te partitë politike në Serbi - atje bëhet luftë mes tyre me anë të barrikadave dhe serbëve të Kosovës. Unë mendoj se çelësi i kësaj situate dhe i gjendjes atje, është në Qeverinë aktuale të Serbisë”, thekson Maloku.

Veprimet, apo mosndërhyrja e KFRO-it për largimin e barrikadave, për ekspertin Maloku është e arsyeshme, pasi që, sipas tij, KFOR-i nuk është i interesuar për të shkaktuar viktima në njerëz.

“Gjenerali Drevs është duke vepruar në mënyrë normale. Ai pret zgjedhjen që politika ta zgjidhë ketë problematikë dhe ata të largohen vetë. Normalisht, konsideroj që ai pret që edhe lodhja e popullatës civile me këto barrikada, moti dhe gjëra të tjera do të ndikojnë dhe do ta shohin që praktikisht sërbet lokalë aty po e bllokojnë jetën e vet”, u shpreh Maloku.

Sido që të jetë, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se në veri gjendja aktualisht është e qetë, por me tensione.
XS
SM
MD
LG