Ndërlidhjet

Heqja dhe rikthimi i barrikadës


Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, rreth orës 8 të mëngjesit të së premtes, kanë nisur një aksion për largimin e barrikadës në afërsi të Bërnjakut.

Ky lajm është konfirmuar nga zëdhënësi i forcave paqeruajtëse të Aleancës Veri-atlantike – KFOR, Uve Novicki. Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se forcat e KFOR-it e kanë larguar barrikadën e fundit pranë vendkalimit kufitar numër 31.

Situata e sigurisë në anën e Kosovës është e qetë. Te porta 31 ne kemi larguar barrikadën e fundit. Në anën e Kosovës, ne e kemi kryer afërsisht punën tonë”, ka konfirmuar zëdhënësi i KFOR-it, Novicki.

Por, ai ka theksuar se protestuesit serbë, të cilët po qëndronin pranë barrikadave, kanë reaguar duke e ngritur një barrikadë të re, ndonëse, sipas tij, jo në territorin e Kosovës.
Në territorin e Serbisë është ngritur një barrikadë e re, në mëngjesin e sotëm, nga protestuesit.



“Në territorin e Serbisë është ngritur një barrikadë e re, në mëngjesin e sotëm, nga protestuesit. Ndërkaq, policia serbe ka qëndruar anash, duke mos bërë asgjë që të pengojë protestuesit të ngrenë barrikadën në territorin e Serbisë. Komandanti i KFOR-it është i interesuar se si do të reagojë Beogradi, ndaj faktit se ekziston një barrikadë në territorin e Serbisë, e cila e pengon lirinë e lëvizjes”, ka shpjeguar Novicki.

Në anën tjetër, lideri i serbëve të veriut të Kosovës, Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb, e ka quajtur të panevojshëm aksionin e KFOR-it.

Madje, sipas tij, është krijuar situatë qesharake, sepse KFOR-i ka hequr dheun nga barrikadat me lopata dore, por të njëjtin dhe e kanë përdorur serbët lokalë për të ngritur barrikadën e re.

Ka pasur ngapak edhe kacafytje me serbët vendorë nga Bërnjaku. Është përdorur edhe lotsjellësi. Pastaj serbët në fund e kanë kthyer të njëjtin dhe, që e kishte hequr KFOR-i dhe tashmë barrikada është ngritur edhe më e fortë sesa që ka qenë”, ka thënë Ivanoviq.

Ai ka theksuar se barrikada e ngritur nuk është krejtësisht në territorin e Serbisë.

Milan Ivanoviq
Milan Ivanoviq
Barrikada është në zonën e ndërmjetme. Por, KFOR-i ka konsideruar se barrikada e prek edhe territorin e Kosovës, gjegjësisht zonën, për të cilën ata kanë përgjegjësi. Unë mendoj se kjo ka të bëjë vetëm me pak metra dhe nuk e rrezikon atë zonë, prandaj është e panevojshme që të përkeqësohet situata”, është shprehur Ivanoviq, duke shtuar se KFOR-i e ka mundësinë e plotë të lëvizjes së lirë.

Ndryshe, serbët e veriut të Kosovës edhe më herët kanë theksuar se KFOR-i mund të lëvizë lirshëm, por kjo nuk i garantohet edhe EULEX-it, në rast se ai transporton doganierët kosovarë në vendkalimet kufitare.

Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, nuk ka pranuar që çështja e heqjes së barrikadave dhe sigurimi i lëvizjes së lirë, të kushtëzohet në çfarëdo forme nga serbët lokalë.
XS
SM
MD
LG