Ndërlidhjet

logo-print

Bashkëpunim në funksion të paqës


Liderët shtetërorë të Kosovës kanë kërkuar forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit në mes të shteteve të rajonit, në funksion të paqes.
Ata i bënë këto komente në konferencën e parë të ministrave të mbrojtjes, që u organizua nga ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Pejë.

Presidentja, Atifete Jahjaga, tha se sot është e pamundur që duke u thirrur në sovranitetin e plotë të shtetit dikush të ndërtojë shoqëri jodemokratike e të dhunshme duke përdorur aparatin represiv dhe forcat e armatosura- siç ka ndodhur në të kaluarën.

“Bota sot është një, e ndërtuar në parimet e barazisë, lirive dhe mundësive të barabarta të cilat u ofrohen të gjithëve. Prandaj, sot intervenimi humanitar ndërkombëtar, siç ishte intervenimi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë dhe tash së fundi në Libi, është bërë normë e dëshirueshme, e pranueshme dhe legjitime”, tha Jahjaga, për të shtuar se forcat e armatosura në vendet demokratike sot janë pjesa më e respektuar e shoqërisë meqë vihen në shërbim të qytetarëve dhe vendit.

Ndėrkaq, kryeministri Hashim Thaci, tha se takimi i sotëm, në të cilin janë mbledhur ministrat e mbrojtjes të vendeve të rajonit, është një sinjal për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Kjo konferencë dërgon mesazhin e bashkëpunimit në një fushë që për shumë vite ishte shqetësim, dërgon mesazh për paqe dhe siguri, dhe është një hap i madh në kapitullin tonë të ri, të lirisë dhe demokracive në vendet tona, dhe padyshim që edhe Kosova është e lumtur që jeton në paqe dhe liri, dhe po kontribuon në këto vlera të patjetërsueshme të njerëzimit”, tha, ndër të tjera, kryeministri Thaçi.

Kryeministri bëri thirrje që secili nga liderët e rajonit të jetë promotor i përgjegjshëm i paqës, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës euro-atlantike.

Ai tha se në aspektin e sigurisë nevojitet besim i ndërsjellë.

“Vetëm një Ballkan që jeton në harmoni dhe është pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është rruga dhe vizioni që duhet të ndjekim”, tha Thaci në konferncën rajonale të ministrave të mbrojtjes.
XS
SM
MD
LG