Ndërlidhjet

logo-print

Haxhi: Dyshime mbi sigurinë

  • RFE /RL

Pelegrinët arrijnë në Arabinë Saudite...

Pelegrinët arrijnë në Arabinë Saudite...

Qindra pelegrinë iranianë që kanë arritur në Arabinë Saudite për Haxhin e këtij viti, janë arrestuar dhe dëbuar. Ky zhvillim, që vjen në kohën e marrëdhënieve të tensionuara në mes rivalëve rajonalë, ka ngritur dyshime mbi çështjen e sigurisë në këtë ngjarje vjetore.

Zyrtarët kanë hedhur poshtë deklaratat se ekzistojnë elemente të hakmarrjes. Por, koha kur kanë ndodhur këto arrestime - që vijnë pak para ngjarjes më të madhe islamike dhe pas dyshimeve se Irani qëndronte prapa komplotit për të vrarë diplomatin arab në Shtetet e Bashkuara - ka nxitur vëzhguesit që të vënë në dukje historinë mes këtyre dy vendeve sa i përket Haxhit.

Raportet nga Irani kanë konfirmuar se më shumë se 520 pelegrinë janë arrestuar dhe dëbuar nga Arabia Saudite këtë javë.

Një i paidentifikuar në mesin e të arrestuarve ka thënë për agjencinë iraniane të lajmeve Fars, se ata ishin arrestuar në aeroportin e Medinës, nën pretekstin se kishin viza të falsifikuara.

"Na kanë thënë se ka një problem me vizat tona, ndërsa vizat tona janë të vërteta. Ato janë lëshuar nga Konsullata Saudite në Mashhad. Disa oficerë e kanë pranuar edhe vetë se vizat janë të vërteta”, është shprehur ai.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Hasan Kashkavi, ka thënë se Konsullata në Mashhad ka përjetuar vështirësi në lëshimin e vizave përpara Haxhit.

Kashkavi thuhet se po negocion me zyrtarët e Arabisë për të zgjidhur çështjen, ndërsa ka inkurajuar vendin për të zbatuar udhëtimin pa viza gjatë Haxhit, i cili fillon të premten.

Por, lajmet e djeshme kanë njoftuar se edhe 370 pelegrinë janë arrestuar dhe dëbuar.

Irani, më parë, ka shprehur shpresën e tij se Haxhi do të jetë "shumë i qetë", pavarësisht tensioneve dypalëshe ndërmjet dy fuqive rajonale.


Dëbimi i pelegrinëve - produkt i armiqësive

Princi saudit, Najef bin Abdel Aziz, është pyetur këtë javë nëse janë zhvilluar marrëveshje speciale me Iranin përpara Haxhit.
Ai është cituar të ketë thënë se “nuk ka pasur marrëveshje, sepse nuk ka nevojë për to”. Iranianët gjithmonë kanë treguar respekt për Haxhin, ka thënë ai.

Megjithatë, Abdel Azizi ka tërhequr vërejtjen se do të merren të gjitha masat e duhura për të siguruar pelegrinazh paqësor.

Në anën tjetër, karvani i pelegrinëve iranianë insiston se dëbimi i tyre shënon vetëm shembullin më të fundit të sjelljes fyese, treguar ndaj pelegrinëve iranianë. Por, vëzhguesit e jashtëm i mbështesin këto pretendime.

Adel Daruish, gazetar britanik dhe ekspert për politikat e Lindjes së Mesme, thotë se incidenti mund të merret si një produkt i armiqësive të kaluara dhe aktuale në mes të këtyre dy vendeve.

Ai thotë se praktika e dëbimit të pelegrinëve iranianë nga mbretëria është një praktikë që ka filluar pas viteve 1980 - kur Qeveria iraniane ka filluar të përdorë Haxhin si një platformë politike për të eksportuar revolucionin islamik në Shtetet e Gjirit.

Në afat të gjatë, Daruish i sheh përçarjet Arabi-Iran si të vazhdueshme, duke këmbëngulur se Arabia Saudite do të ndjehet e kërcënuar për aq kohë sa regjimi islamik në Iran vazhdon të fitojë pushtetin. Në afat të shkurtër, ai parashikon që të dyja vendet të vazhdojnë me armiqësi ndaj njëra-tjetrës.

Haxhi, pelegrinazhi më i madh në botë, do të grumbullojë rreth 1,5 milion myslimanë nga e gjithë bota në Mekë dhe Medinë - dy qytetet më të shenjta të islamit.

Ritualet përfundojnë me tri ditë festë globale përreth botës, që shënojnë Bajramin. (e.b.)
XS
SM
MD
LG