Ndërlidhjet

Doganat: Marrëveshja në zbatim


Kufiri Kosovë - Serbi
Kufiri Kosovë - Serbi
Kompani të ndryshme kosovare pa problem po zhvillojnë eksportin dhe importin me Serbinë dhe me vende të Bashkimit Evropian. Kjo u mundësua që nga arritja e marrëveshjes për njohjen e vulave doganore të Kosovës nga ana e Serbisë.

Megjithatë, sipas autoriteteve kompetente, fuqia eksportuese e Kosovës mbetet në nivel të ulët karshi importit nga Serbia.

Që nga 16 shtatori, kur Qeveria e Kosovës hoqi masat reciproke ndaj produkteve serbe, kompania “Elkos” ka importuar produkte nga Serbia, dhe njëherësh ka shfrytëzuar territorin e këtij shteti për transport të mallrave nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ramiz Kelmendi, udhëheqës i kësaj ndërmarrjeje, thotë se marrëveshja për njohjen e vulave doganore është duke u zbatuar pa problem. Ai tregon se tashmë ka importuar mall nga Serbia.

“Një pjesë e madhe e këtyre produkteve janë të kompanive evropiane dhe amerikane, që i kanë privatizuar fabrikat në Serbi, siç është ‘Coca-Cola’ , ‘Heiniken’, shumë produkte të tjera, që janë të kompanive ndërkombëtare, por që prodhohen në Serbi, për shkak të shtrirjes së këtyre kompanive në rajonin e Ballkanit”, thotë Kelmendi.

Produktet serbe...
Produktet serbe...

Ndryshe, që nga viti 2008 Serbia kishte bllokuar produktet kosovare, për shkak të ndërrimit të vulave nga të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës. Mallrat me këtë vulë nuk janë lejuar as transit të kalojnë në territorin e këtij shteti.

Ndërkaq, Zeqirja Mustafa, menaxher i kompanisë “Fluidi” nga Gjilani, thotë se që nga mesi i shtatorit e deri më tani, në territorin e Serbisë, konkretisht në Luginën e Preshevës, kanë dërguar tre kamionë me produktet e tyre.

“Probleme nuk kemi pasur nga ana e serbëve. Janë pranuar të gjitha dokumentet dhe gjithçka ka qenë në rregull. Kërkesa ka qenë aq pasi produktet tona shiten vetëm në territorin e Luginës së Preshevës. Produktet tona nuk i konsumojnë serbët, arsyeja e vetme e moskonsumit, është se janë produkte shqiptare”, tregon Mustafa.

Në anën tjetër, zyrtarë të Doganave të Kosovës pranojnë se që nga heqja e masave të reciprocitetit, që Prishtina zyrtare ua kishte vendosur produkteve serbe, është shënuar bilanc tregtar i pafavorshëm për kompanitë kosovare.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se që nga heqja e këtyre masave e deri më tani, importi nga Serbia ka arritur vlerën afër 40 milionë euro, ndërkaq eksporti ka arritur afër 400 mijë euro.

“Deri më tani nuk kemi pasur probleme të raportuara të eksportit kosovar, hyrja iu lejohet. Në anën tjetër, mund të themi se produktet që më së shumti importohen prej Serbisë, janë industria e ushqimit dhe industria e ndërtimit”, deklaron Stavileci.

Qeveria e Kosovës, më 20 korrik, vendosi masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që u ndërprenë më 16 shtator.
XS
SM
MD
LG